Mundësi për të rinjtë: Trajnim për vizualizimin e të dhënave, praktikë me pagesë dhe vizitë në SHBA

Fondacioni Metamorfozis dhe Qendra Ndërkombëtare për Gazetarë për të tretin vit radhazi vazhdojnë programin “Gazetaria për gjeneratën e re” me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Shkup. Edhe këtë vit dhjetëra të rinj nga vendi kanë mundësinë të marrin pjesë në trajnime, të bëhen pjesë praktikës me pagesë dhe më të mirët do të shkojnë në vizitë studimore njëjavore në SHBA.

Këtë vit do të mbahen tre punëtori, e para në nëntor për gazetarinë e bazuar në të dhëna, e dyta në shkurt për verifikimin e fakteve dhe e treta në prill për “pre-bunking”.

Pjesëmarrësit më të mirë në të tre punëtoritë do të ftohen në praktikë njëmujore me pagesë në një nga tre mediat e Fondacionit Metamorfozis: Agjencia e Lajmeve Meta, Portalb dhe Vistinomer.

Praktikantët më të mirë nga ana tjetër do të kenë mundësinë të vizitojnë kryeqytetin e SHBA-së, Uashingtonin, ku do të qëndrojnë për një javë gjatë verës.

Punëtoria e parë me temën gazetaria e bazuar në të dhëna do të mbahet nga 13 deri më 15 nëntor në Shkup dhe të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje të cilët janë nga mosha 18 deri në 29 vjeç mund të aplikojnë në këtë link.

Trajnues do të jetë gazetari i shquar i “New York Times”, Robert Gebeloff, i cili gjithashtu ligjëron gazetarinë e të dhënave në Shkollën e Gazetarisë në Universitetin Columbia në Nju Jork.

Përveç Gebelofit, trajner do të jetë edhe kryeredaktori i Agjencisë së Lajmeve Meta, Goran Rizaov.

Pjesëmarrësit në punëtorinë e parë do të mësojnë për të gjithë procesin e punës me të dhënat, që nga gjetja, shkarkimi, pastrimi, analizimi dhe vizualizimi. Do të mësojnë se si të përdorin mjete të avancuara për këto qëllime që janë falas për t’u përdorur. Ndër të tjera, në punëtori do të shfaqen bazat e softuerit të vizualizimit të të dhënave.

Numri i pjesëmarrësve është i kufizuar dhe të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në këtë punëtori mund të aplikojnë në këtë link. Punëtoria do të zgjasë tre ditë dhe do të mbahet tërësisht në gjuhën angleze.

Në të njëjtën kohë, janë hapur aplikimet edhe për dy trajnimet e tjera, atë të verifikimit të fakteve dhe pre-bunking. Datat dhe vendet e sakta do të përcaktohen më tej.

  • Punëtoria për gazetarinë e batuar në të dhëna (13-15 nëntor 2024) – aplikoni këtu;
  • Punëtoria për verifikimin e fakteve (shkurt 2025) – aplikoni këtu;
  • Punëtoria për pre-bunking (prill 2025) – aplikoni këtu.