Mucunski dhe Hoxha bisedë telefonike: Në fokus rruga drejt BE-së, Korridori 8 dhe Liqeni i Ohrit
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, pati një bisedë telefonike këtë mëngjes me ministrin e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha. Të dy ministrat konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy vendeve, duke theksuar gatishmërinë e tyre për t’i përmirësuar ato më tej, transmeton Portalb.mk.
Në bisedë u diskutua edhe perspektiva evropiane e dy vendeve, si dhe aktivitetet e përbashkëta në rrugën drejt Bashkimit Evropian. U theksua gjithashtu rëndësia e projektit të Korridorit 8, i cili përfaqëson një prioritet të përbashkët me rëndësi për të dy vendet, si dhe për promovimin e lidhjes dhe zhvillimit rajonal.
Ministri Mucunski theksoi rëndësinë e pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri, e cila përfaqëson një urë të rëndësishme miqësie dhe kontribuon më tej në thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Në të njëjtën kohë, ministrat diskutuan edhe për Liqenin e Ohrit, detyrimet që rrjedhin nga UNESCO, si dhe përgjegjësinë e përbashkët për mbrojtjen e tij dhe menaxhimin e qëndrueshëm të rajonit.
Të dy ministrat shkëmbyen mendime edhe mbi çështjet aktuale të bashkëpunimit rajonal, duke theksuar rëndësinë e nxitjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe kontributin e përbashkët të të dy vendeve për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Ndryshe, projekti i Korridorit 8 dhe çështjet që lidhen me rajonin e Ohrit kanë qenë kohët e fundit në qendër të debateve publike dhe politike në Maqedoninë e Veriut. Ndërtimi i këtij korridori, i cili synon të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon dhe me mbështetje edhe nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime lidhur me realizimin e projektit. Ndërtimi i Korridorit 8 është shoqëruar me akuza për devijim të projektit, shkurtim të fondeve dhe largim të punëtorëve nga puna.
Në të njëjtën kohë, edhe menaxhimi dhe mbrojtja e rajonit të Ohrit kanë qenë objekt kritikash. Edhe pse autoritetet shtetërore kanë premtuar para UNESCO-s se do të ndërmarrin masa për ruajtjen e statusit të rajonit si trashëgimi botërore natyrore dhe kulturore, megjithatë shumica e deklaratave mbeten në nivel premtimesh, ndërsa në terren mungojnë veprime konkrete për të adresuar problemet si ndërtimet e paligjshme dhe urbanizimi i pakontrolluar.
Rajoni i Ohrit është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1980 dhe për vite me radhë është përballur me rrezikun që të futet në listën e trashëgimisë botërore në rrezik, për shkak të presioneve urbane dhe mungesës së masave efektive për mbrojtjen e tij.
- LEXO: Korridori 8: Qeveria mohoi zvogëlimin e mjeteve, heshtje për largimin e punëtorëve
- LEXO: Çfarë po ndodh me Korridorin 8: Akuza për devijim projekti, largime nga puna dhe shkurtim fondesh
- LEXO: Kundërspin: Qeveria premton shpëtim për rajonin e Ohrit para UNESCO-s, por nuk ka bërë asgjë në terren
- LEXO: Derisa RMV në Paris po bind UNESCO-n se vendi do të kujdeset për trashëgiminë botërore, Ohri po “betonizohet”