MPJ: Aktorët politik të kenë kujdes, ruajtja e kursit euroatlantik të RMV-së është interes strategjik

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë thirrje për kujdes nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht funksionerët e zgjedhur shtetëror, duke iu referuarbetimit të presidentes së re Gordana Siljanovska Davkova.Nga kjo ministri thonë se ruajtja e kursit euroatlantik të vendit është interes themelor strategjik dhe garantues i sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon orientimin e qartë të vendit në respektimin pa mëdyshje të dispozitave kushtetuese si dhe të të gjitha obligimeve të ndërmarra ndërkombëtarisht, si respektimi i plotë i Marrëveshjes për Partneritet Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, e njohur si Marrëveshja e Prespës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Gjatë shtatë viteve të fundit, thuhet në reagim, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar në një rritje të disafishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes qytetarëve.

“Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe avancimin e Partneritetit Strategjik në Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Kujtojmë se derisa kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, lexonte deklaratën solemne me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit, nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedoni e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës, por e përdori vetëm emrin “Maqedoni”.

“Deklaroj se postin e presidentit të Maqedonisë do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi. Do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe do ta mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”, tha në betimin solemn Siljanovska-Davkova.

Ajo madje që në fushatën parazgjedhore kishte sqaruar që do të mundohet të shmang emrin e ri zyrtar të shtetit, për çka kishte reaguar edhe pala greke. Ky hap i Siljanovskës dhe i partisë nga e cila ajo u mbështet, VMRO-DPMNE, ka hasur në reagim të ashpër të Greqisë dhe opinionit ndërkombëtar, duke ia kujtuar se vendi duhet ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, nëse dëshiron të ecë përpara në rrugën eurointegruese.

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2027 socialdemokratët qeverisës arritën një marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Ndryshimi i emrit në Maqedoni e Veriut solli edhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe me këtë edhe hapjen e rrugës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

Kjo situatë, mund t’i hapë vendit probleme të mëtejshme me Bullgarinë, me të cilën edhe ashtu ka marrëdhënie herë pas here të tensionuara.