Moska ia zgjati për 3 muaj paraburgimin gazetarit të Wall Street Journal
Paraburgimi i korrespondentit të Wall Street Journal (WSJ), Evan Gershkovich, është zgjatur për tre muaj të tjerë, transmeton Anadolu.
“Me vendim të Gjykatës së Qarkut Lefortovsky të qytetit të Moskës, të datës 23 maj 2023, periudha e paraburgimit për Evan Gershkovich-it u zgjat për tre muaj e një ditë, domethënë deri më 30 gusht 2023”, tha shërbimi për media i gjykatës për agjencinë ruse të lajmeve TASS.
Gershkovich u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) në Yekaterinburg në fund të muajit mars me akuza për spiunazh, një pretendim që WSJ-ja e mohoi “fuqishëm”.
Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Gershkovich-it, me sekretarin e shtetit, Antony Blinken, që e cilësoi atë si “të arrestuar gabimisht”.
Autoritetet ruse kanë argumentuar se Gershkovich është kapur “në flagrancë” dhe kanë theksuar se çështja e tij do të trajtohet sipas ligjit.
Të premten e kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë njoftoi se kërkesa e ambasadës amerikane për një vizitë konsullore me Gershkovich-in u refuzua edhe një herë “në përgjigje të refuzimit për të lëshuar viza për gazetarët rusë” gjatë udhëtimit të muajit të kaluar të shefit të diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, në selinë e OKB-së në New York.