Mobilje dhe sende të tjera në vend të skejterëve në rampat në skejt parkun në Tetovë (Galeri)

Ambalazhe të ushqimeve, dyshekë, karroca, tava për gatim dhe sende të tjera shtëpiake janë të vetmet që “voziten” në skejt – rampën e vendosur në skejt parkun e vogël në Tetovë. Muajin e fundit, vendi është i rrethuar edhe nga kontejnerë të tej mbushur në të cilët nuk grumbullohen të gjitha mbeturinat, kështu që rreth tyre duken kuti kartoni apo objekte të tjera më të mëdha si batanije, jastëkë dhe dërrasa apo valixhe, shkruan Radio MOF.

Skejt parku në Tetovë është ngjitur me “Parkun grua” të qytetit, i cili është i madh sa një stadium futbolli, dhe ndodhet përballë stacionit të autobusëve ndër urban. E njohur edhe si “Skejtova”, ajo zë një të katërtën e parkut të qytetit. Në vend të skejterëve, pasditen që vizituam hasëm në xhama dhe shishe prej qelqi të pijeve alkoolike të hedhura, të cilat me siguri kishin qëndruar atje për ditë të tëra. Era e pakëndshme ndihet nga stacioni i autobusëve, e cila zgjat deri në fund të shtegut të këmbësorëve nga parku.

Mobilje dhe sende të tjera në vend të skejterëve në rampat në skejt parkun në Tetovë. Foto: Radio MOF
Mobilje dhe sende të tjera në vend të skejterëve në rampat në skejt parkun në Tetovë. Foto: Radio MOF

Nga dy tabelat e shahut dhe disa stola që së bashku me skejt rampat u vendosën fillimisht në vitin 2018, kanë ngelur vetëm stola të cilave u mungojnë dërrasa që i bëjnë të pasigurt për t’u ulur. Vullnetarët nga Qendra Kulturore Sociale në Tetovë – “Space ​​Tetova”, të cilët para pesë vitesh e ndërtuan skate parkun me idenë që të bëhet vend për socializim dhe aktivizim të komunitetit lokal, thonë se është zhgënjyese që parku është në këtë gjendje “duke qenë se është e vetmja hapësirë ​​publike ku mund të bëni skate”.

“Është e vërtetë që gjendja në të cilën ndodhet parku tani nuk është më e mira, edhe pse më 6 qershor, kur ishte ditëlindja e “Space-it”, ne patëm një iniciativë për pastrimin e parkut dhe u përpoqëm ta ngrisim vetëdijën te qytetarët tjerë. Ne kemi vendosur edhe tabela përreth për t’i kushtuar kujdes higjienës”, thanë aktivistët për Radio MOF.

Strehim i braktisur

Për momentin nuk dihet nëse parku përdoret si strehë e përkohshme e dikujt, por sipas mënyrës së rregullimit të objekteve mund të supozohet se dikush jeton aty. Autoritetet lokale nuk u janë përgjigjur pyetjeve tona për dy javë, e as Kryqi i Kuq në Tetovë nuk ka të dhëna për situatën.

Ata thonë se nuk janë kompetentë të mbajnë evidencë nëse dikush mund të qëndrojë në një zonë publike.

“Gjithashtu, asnjë institucion që është përgjegjës për verifikimin e një statusi të caktuar të një personi (të pastrehë, person me nevoja të veçanta, refugjat etj.) nuk ka kërkuar ndihmën tonë në lidhje me konstatimet tuaja”, thekson organizata humanitare dhe shtojnë do të alarmjnë institucionet kompetente.

Në Maqedoni mungojnë organizata që ofrojnë kujdes për personat e pastrehë ose monitorojnë gjërat në terren, në rast se ndonjë hapësirë ​​publike për momentin duket si skejt parku i Tetovës. E vetmja pikë për të pastrehët është Momin Potok, i cili gjendet në Shkup nën ombrellën e Kryqit të Kuq. Por siç sqarojnë për Radio MOF, pika mund të ofrojë vetëm shërbime si ushqim, larje, prerje flokësh dhe nevoja të tjera për personat që vijnë vetë për të kërkuar shërbime të tilla. Një shtrat gjumi është i disponueshëm vetëm nga dhjetori deri në mars, kur është më  ftohtë jashtë. Një trajtim i tillë është i dedikuar vetëm për qytetarët e Shkupit.

Nga Momin Potoku thonë se edhe pse vazhdimisht kërkojnë zgjerimin e pikave për të ofruar kujdes për të paktën një ditë, pikat në Strugë dhe Strumicë janë mbyllur tashmë një kohë të gjatë, dhe që nga koha kur ministër i Punës dhe Politikë Sociale ishte Mila Carovska, punon vetëm pika në Manastir edhe atë me kapacitet 8 shtretër.

Për gjendjen e personave të pastrehë nga qytetet tjera duhet të alarmohet qendra lokale për punë sociale, e cila më pas komunikon me Qendrën për punë sociale në Shkup. Pas kësaj, nëse konstatohet se në një hapësirë publike ka të pastrehë që jetojnë, për t’i ndihmuar, ata drejtohen në pikën qeveritare për të pastrehët nën ombrellën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale ose sipas riorganizimit – Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Problem që zgjat me vite

Megjithatë, ky nuk është një problem vetëm i dimensionit social. Neglizhenca e “Skejt parkut” nga pushteti lokal ka bërë që ajo në vitet e kaluara gjatë periudhës së verës të kthehet në një kullotë për kuaj, të lënë pas dore për dhe shpesh herë është vandalizuar nga qytetarët e pandërgjegjshëm. Pothuajse çdo vit që kur është ndërtuar, aktivistët kanë alarmuar për gjendjen e keqe në të cilën po shkatërrohet. Në vitin 2021, ai u rindërtua plotësisht, por edhe përskaj kësaj, pothuajse nuk funksionon si një skejt park-me skejterë, biçikleta dhe patina me rrota ose thjesht një vend ku socializohen të rinjtë. Verën e kaluar janë parë më shpesh kuaj duke kullotur në barin e rritur tejmase dhe gjithnjë e më shpesh gjatë vitit vërehen mbeturinat të papastruara.

Mobilje dhe sende të tjera në vend të skejterëve në rampat në skejt parkun në Tetovë. Foto: Radio MOF
Mobilje dhe sende të tjera në vend të skejterëve në rampat në skejt parkun në Tetovë. Foto: Radio MOF

Por nga “Space” nuk humbin shpresë

“Kemi plan afatgjatë që të ndërtojnë terren basketbolli dhe të organizojmë një koncert të madh me çka do të mblidhnim para për ndriçim, më shumë skejt rampa, stola, të mbjellim drurë dhe të sigurojmë pajisje të tjera të nevojshme që të funksionojë si skejt park”, thonë vullnetarët të silat kanë shpërndarë edhe fotografi se si e paramendojnë parkun në të ardhmen.