Ministrja Bozhinovska pjesë e një historie për prodhimin e getave ekologjike në Republikën Çeke

“Ajo punon si konsulente për energjetikë, ndërsa moda e qëndrueshme për të është kryesisht një hobi.” Kështu e ka portretizuar “Reporter Magazine” çeke Sanja Bozhinovskën 10 muaj më parë, gjatë promovimit të markës së saj të getave dhe çorapeve ekologjike “Bozhici”. Mirëpo Bozhinovska thotë se biznesi nuk është i saj, por se po i ndihmon miqtë nga Maqedonia e Veriut që ta zgjerojnë atë në Republikën Çeke, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Krahas patundshmërive në banesa në vlerë prej mbi një milion euro, ministrja e energjetikës, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozinovska, në fletën anketuese ka deklaruar edhe pronësi në kompaninë “Sustainable services” me seli në Republikën Çeke.

Nga viti 2018 e deri para se të bëhej ministre, Sanja Bozhinovska në biografinë e saj thekson se është “konsulente e pavarur për energjetikë në fushën e projekteve dhe investimeve energjetike, projekte për centrale diellore, ka punuar në projekte për burime të rinovueshme të energjisë dhe se ka themeluar kompani në Evropën Qendrore Lindore dhe në Ballkanin Perëndimor”.

Në periudhën e kaluar Bozhinovska ka themeluar kompani. Por, kompania e saj në Çeki, pronare e të cilës është ajo, nuk ka të bëjë aspak me energjetikën.

“Kompania është regjistruar sipas legjislacionit çek më 1 tetor të vitit 2007 dhe në veprimtarinë e saj nuk bën pjesë asnjë prodhim apo aktivitet në fushën e energjetikës. Fokusi primar i kompanisë janë shërbimet konsulente dhe patundshmëritë”, tha ministrja Bozhinovska.

Dy javë para deklarimit të kompanisë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Bozhinovska ka dhënë dorëheqje nga pozita e menaxherit të kompanisë, tregojnë kështu dokumentet e siguruara nga Radio Evropa e Lirë. Ndryshimi është bërë në Maqedoninë e Veriut.

Me një deklaratë të vërtetuar në noter dhe të vulosur nga Ambasada Çeke në Shkup, më 10 korrik të vitit 2024 Bozhinovska ia beson funksionin menaxhues të kompanisë në Çeki Tome Atanasovit, pronar i kompanisë së mobiljeve “Jugoexport Style”.

Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, “Sustainable Services s.r.o” është e regjistruar për disa veprimtari të punës – dhënie me qira, blerje, shitje dhe menaxhim të pasurive të patundshme, tregti me shumicë dhe pakicë, aktivitete këshillimore dhe konsulencë, përgatitje të studimeve dhe vlerësimeve të ekspertëve. Kompania u bë me këtë emër në fillim të muajit janar të vitit 2024.

Më parë, nga dita e regjistrimit të kompanisë në tetor 2007 e deri para gjashtë muajsh, ajo kishte emrin SBMK reality, spol. s.r.o., kurse investimi themelues i kompanisë ishte 200.000 korona ose 482.106 denarë.

Geta “Bozhici”

Adresa e kompanisë “Sustainable services s.r.o” është në Republikën Çeke, adresa Varhullkova 1582/24 është e shënuar si seli e markës së getave të biodegradueshme “Bozhici”.

Sipas raportimeve në mediat çeke, Sanja Bozhinovska ka filluar biznesin e saj të modës duke dashur të prezantojë një qasje inovative në prodhimin e veshjeve për gra. Ideja e saj ishte që në treg të ofrojë geta dhe çorape të biodegradueshme që dekompozohen nga tre deri në pesë vjet, për dallim nga ato klasiket, periudha e dekompozimit të të cilave është pothuajse një shekull. Të paktën kështu e prezantoi markën para publikut çek vetë Bozhinovska.

“Getat janë një gjë elegante, por edhe një burim frustrimi për shumë femra. Pas t’i keni veshur dy ose tre herë, getat përfundojnë në koshin e plehrave. Gjë që është joekologjike, sepse getave të zakonshme u duhen njëqind vjet për t’u dekompozuar. Sanja Bozhinovska donte ta ndryshonte gjithë këtë. Prandaj ajo shpiku geta, geta të përhershme të bëra nga një material i degradueshëm, e që nuk e irritojnë lëkurën.”

Ky është prezantimi në intervistën e publikuar më 30 tetor të vitit 2023 i Sanja Bozhinovskës dhe markës “Bozhici” (Božonky) në „Reporter magazin” çeke, ku ajo vetë shprehet se marka përfaqëson një lloj reagimi ndaj tregut ku ka mungesë të getave me jetëgjatësi më të gjatë dhe që në të njëjtën kohë janë të prodhuara me materiale ekologjike. Në intervistë Bozhinovska tregon se si e ka filluar idenë për biznesin dhe se si marka e getave e ka marrë emrin “Bozhici”.

“Isha ulur në një kafe me një shoqe dhe të njohur të tjerë, ndërsa një zonjë na tha se këto ishin “geta hyjnore”. Kështu vendosa që ato të quhen “Bozhici (Hyjnesha)”. Në fillim më dukej paksa e çuditshme, sepse mbiemri im është Bozhinovska. Por në fund thashë, e pse jo? Kështu, ky do të jetë emri i shkurtër i getave hyjnore dhe i mbiemrit tim”, thotë Bozhinovska në intervistë.

Sa i përket vendosjes në treg, Bozhinovska thotë se me fillimin e vjeshtës shitjet rriten, rritet edhe numri i klientëve dhe planifikohet zgjerim i tregut edhe në Sllovaki.

Në një artikull të botuar në gusht 2022 në uebfaqen e “Bozhici” (bozonky.cz) Kamilla Vodoçodska, e cila renditet si bashkëthemeluese e markës, thotë se deri në atë moment prodhimi i getave bëhej në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në të ardhmen do të donin ta transferonin në Çeki.

Bozhinovska thotë se nuk ka biznes me geta të biodegradueshme

Radio Evropa e Lirë që më 5 gusht të vitit 2024 i dërgoi pyetje ministres Bozhinovska për prodhimin e markës “Bozhici”, nëse prodhimi i tyre në Maqedoninë e Veriut po vazhdon apo është zhvendosur tërësisht në Republikën Çeke?

Si përgjigje për Radion Evropa e Lirë ministrja Bozhinovska thotë se kompania e saj “Sustainable Services” nuk përfshin asnjë prodhim apo aktivitet në fushën e energjetikës dhe se fokusi primar i kompanisë janë aktivitetet për konsulencë dhe patundshmëritë. Bozhinovska thotë se nga viti 2007 deri në vitin 2024 kompania nuk ka asnjë transaksion me Maqedoninë e Veriut.

Ajo mohon se kompania e saj bën ndonjëfarë prodhimi të getave të biodegradueshme dhe se biznesi nuk është i saj, por i miqve të saj nga Maqedonia e Veriut.

“Miqtë e mi kishin një ide për ta zgjeruar biznesin nga Maqedonia dhe unë doja t’i ndihmoja ata përmes kompanisë time në Republikën Çeke, sepse jam për produktet ekologjike organike dhe të biodegradueshme. Produkt nga Maqedonia që do të arrijë në Evropë përmes Republikës Çeke. Ndihma kishte të bënte me ndihmën për biznesin këtë vit duke krijuar një uebfaqe për ta shitur dhe për ta promovuar markën. Nga viti i ardhshëm ata tashmë do e vazhdojnë vetë këtë histori”, thotë Bozhinovska në përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo, ministrja e energjetikës Bozhinovska nuk tregon se cila është ajo kompani në Maqedoninë e Veriut dhe i kujt është biznesi i prodhimit të getave të biodegradueshme.

Ky qëndrim i Bozhinovskës bie ndesh me informacionet e dhëna në intervistën për revistën çeke “Reporter Magazine” në të cilën ajo flet për tërë procesin e prodhimit të markës. Përveç kësaj, vetë Bozhinovska në një postim në uebfaqen bozonky.cz, personalisht i promovon getat në një event në Republikën Çeke.

“Aktiviteti më i madh dhe më i vizituar i fundjavës në Republikën Çeke, ku jo vetëm mund të shihni veprat dhe dizenjot e autorit, por edhe t’i blini ato. Ky është një shou shitjesh dhe Božonky ishte pjesë e tregut në datat 12 dhe 13 dhjetor të vitit 2021”, ka shkruar si përshkrim nën foto.

Getat në shitje edhe online

“Bozhici” i reklamon produktet e saj me ngjyra dhe modele të ndryshme në ueb-faqen zyrtare si dhe në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.

Në mesin e ofertës së çorapeve (deri në gjunjë) dhe getave është postuar edhe intervista e Bozhinovskës ku ajo e promovon markën “Bozhici”.

Gjatë kontrollit të faqes në Facebook “Bozonky.cz” mund të shihet se ajo është krijuar më 6 shtator të vitit 2021. Të dhënat nga rrjeti social zbulojnë se faqja e markës aktualisht menaxhohet nga tre persona – dy nga Maqedonia e Veriut dhe një profil nga Republika Çeke.

Në portofolin e saj profesional Bozhinovska nuk ka shënuar se ka përvojë apo biznes aktiv në industrinë e modës. Në publikun në Maqedoninë e Veriut ajo është prezantuar ekskluzivisht si eksperte me përvojë shumëvjeçare në fushën e energjetikës.

“Sanja është një eksperte e jashtëzakonshme dhe një eksperte evropiane dhe jam i lumtur që e kam si bashkëpunëtore në ekipin tim”, tha kryeministri Hristijan Mickoski më 1 korrik.

Radio Evropa e Lirë më 26 korrik njoftoi se institucionet në Maqedoninë e Veriut – Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, Drejtoria e doganave dhe MEPSO kanë ngritur tri procedura të ndryshme për shkelje të ligjeve dhe atë për “Rudnap SHPKNJP Shkup”, degë e kompanisë serbe “Rudnap Group”, ku Bozhinovska ka qenë drejtoreshë ekzekutive dhe për “ENG Service Trade”, kompani nga Maqedonia në të cilën Bozhinovska ka qenë një nga dy pronarët.

Në vitin 2017 MEPSO shtetërore njoftoi se kompania e Bozhinovskës “ENG Service Trade” ka bërë një borxh prej 700.000 euro për energji elektrike të shfrytëzuar, por të papaguar.

Nga MEPSO thanë se për “ENG Service Trade” është aktivizuar garancia bankare, ndërsa faturat e maturuara dhe të papaguara i janë dorëzuar drejtpërdrejt përmbaruesit kompetent. Por, as kompania shtetërore dhe as Bozhinovska nuk zbuluan nëse është shlyer borxhi.