Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut e dënoi incidentin që ndodhi dje në Çair dhe stadium

Në lidhje me incidentet që kanë ndodhur dje në bulevardin “Cvetan Dimov” në Çair dhe në stadiumin “Teodor Proeski”, ka reaguar Ministria për Punë të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Jashtme dënon incidentet e djeshme në Shkup, para, gjatë dhe pas ndeshjes Shkupi – Levski. Dhuna nuk është e pranueshme në asnjë rrethanë, veçanërisht jo kur rezulton në lëndime të rënda”, deklarojnë nga Ministria, duke vlerësuar që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria si fqinjë të mirë i zgjidhin problemet me mjete diplomatike.

Ata shprehin gatishmëri për zbatimin e rendit dhe qetësisë publike në vend, duke sqaruar që i lënduari tashmë po shërohet në spitalin e Shkupit.

“Siç e kemi theksuar më parë në disa raste, Republika e Maqedonisë së Veriut është vend i lirë dhe të gjithë që dëshirojnë ta vizitojnë vendin janë të mirëseardhur; privilegj që nuk nënkupton që nga këtu është e pranueshme të shprehen fyerje, veçanërisht jo teza që nënkuptojnë pretendime territoriale dhe/ose mohim dhe fyerje të bazuara në baza etnike, fetare ose baza të tjera identitare”, paralajmërojnë nga Ministria.

Ndryshe, sipas informacioneve fillestare, siç thuhet në komunikatën e PThP, ngjarja ka ndodhur teksa tifozët e KF “Levski” me dy automjete me targa bullgare po lëviznin në afërsi të qendrës tregtare “Çairçanka”, ku janë konfliktuar verbalisht me kalimtarët dhe qytetarët.

“Tifozët bullgarë kanë ndaluar automjetet dhe kanë zbritur prej tyre, pas së cilës mosmarrëveshja verbale është shndërruar në përleshje fizike me një grup qytetarësh që kanë dalë nga objektet përreth. Gjatë kthimit në makinë, një shtetas bullgar 29-vjeçar ka mbetur i plagosur me një send të mprehtë në bark. Ai është konstatuar me lëndime të rënda trupore dhe është shtruar në spital. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, ai është në gjendje stabile”, thuhet në njoftim.

Me qëllim, siç bën me dije Prokuroria, konstatimin e identitetit të shtetasve pjesëmarrës në ngjarje dhe që sipas informacioneve fillestare nuk kanë qenë pjesë e një grupi të tifozëve vendas, si dhe të zbardhet plotësisht ngjarja, janë marrë gjurmë nga vendi i ngjarjes, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Gjithashtu, janë siguruar video incizimet nga ambientet përreth dhe nga kamerat e sistemit “Qyteti i sigurt”, si dhe po kryhen veprime të tjera.

Për pjesën tjetër të incidenteve që kanë të bëjnë me tifozët e KF “Levski” gjatë ditës së djeshme, Prokuroria është njoftuar se janë proceduar për kundërvajtje.