Ministria e Jashtme Palestineze: Sulmi i Izraelit ndaj Spitalit Baptist Al-Ahli në Gaza është krim lufte

Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës ka deklaruar se sulmi nga avionët luftarakë izraelitë ndaj Spitalit Baptist Al-Ahli në Gaza është “krim lufte”, transmeton Anadolu.

Një reagimin e ministrisë palestineze theksohet se avionët luftarakë izraelitë kanë kryer një “krim lufte” duke shënjestruar Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza.

“Kjo është krim kundër njerëzimit”, tha Ministria.

Njoftohet se më shumë se 500 persona kanë humbur jetën si pasojë e bombardimeve të Izraelit ndaj Spitalit Baptist al-Ahli në Gaza.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qudra, për Anadolu njoftoi se mbi 500 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Rripin e Gazës mbrëmjen e sotme.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka deklaruar se bombardimi i Spitalit Baptist Al-Ahli në Gaza tregon situatën dramatike të njerëzve që jetojnë atje.

“Dua të shpreh emocionin tim për informacionin e fundit për bombardimin e një spitali në Gaza, i cili është bombarduar. Shumë viktima. Kjo po tregon gjendjen dramatike të njerëzve që janë atje”, tha Michel në një konferencë për media të mbajtur pas video-konferencës së anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE) mbi zhvillimet e fundit në konfliktin Izrael-Palestinë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e dënoi sulmin ndaj spitalit në jug të Rripit të Gazës të martën, si dhe kërkoi mbrojtjen e menjëhershme të civilëve dhe kujdesit shëndetësor në enklavën palestineze.

“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj Spitalit Al-Ahli Arab”, tha drejtori i organizatës së OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një reagim në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.

Emiratet e Bashkuara dhe Rusia kanë kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 18 tetor, pas sulmit vdekjeprurës në spitalin e qytetit të Gazës.

Mbreti Abdullah i Jordanisë e cilësoi sulmin ndaj spitalit si “masakër” dhe “krim luftë” për të cilin nuk mund të heshtet.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi sulmin, duke e cilësuar si “shembulli më i freskët se sulmeve të Izraelit u mungojnë vlerat më themelore njerëzore.

“E ftoj gjithë njerëzimin të ndërmarrë veprime për ta ndaluar këtë brutalitet të paparë në Gaza”, tha Erdogani në X.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka deklaruar se sulmi izraelit në spitalin në Rripin e Gazës ishte “i tmerrshëm dhe absolutisht i papranueshëm”.

“Lajmet që vijnë nga Gaza janë shkatërruese. Është e tmerrshme, është e papranueshme. Ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet të respektohen në çdo kohë. Kjo është e paligjshme”, tha Trudeau.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka dënuar ashpër sulmin ndaj Spitalit Baptist al-Ahli në Gaza dhe bëri thirrje për armëpushim urgjent.

Përmes llogarisë në median sociale, UNICEF reagoi ashpër ndaj sulmit të Izraelit ndaj spitalit në Gaza.

“UNICEF dënon ashpër sulmin kundrejt Spitalit Baptist al-Ahli në Gaza, i cili ka shkaktuar vdekjen e qindra civilëve”, tha UNICEF.

UNICEF bëri thirrje për mbrojtjen e fëmijëve, civilëve dhe infrastrukturës që ata përdorin, si dhe theksoi se “kemi nevojë për armëpushim urgjent dhe qasje të ndihmës humanitare”.

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Spitalit Baptist al-Ahli në Gaza, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund sulmeve ndaj civilëve dhe objekteve shëndetësore.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) në rrjetet sociale ndau një mesazh lidhur me sulmin ndaj Spitalit Baptist al-Ahli në Gaza.

“UNFPA dënon ashpër sulmin në Spitalin Baptist al-Ahli në Gaza që shkaktoi vdekjen e qindra njerëzve” u theksua në mesazh.

Duke theksuar se duhet t’i jepet fund sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, u theksua se “objektet shëndetësore asnjëherë nuk duhen të vendosen në shënjestër”.

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, ka dënuar sulmin e Izraelit ndaj spitalit Baptist Al-Ahli në Rripin e Gazës.

Aboul Gheit reagoi nga llogaria e tij në median sociale X lidhur me sulmin e spitalit në Gaza.

“Cili i sëmurë mendor bombardon qëllimisht një spital ku ndodhen njerëz të pambrojtur?”, tha Aboul Gheit, duke dënuar sulmin e Izraelit ndaj spitalit

“Institucionet arabe kanë dokumentuar krimet e luftës dhe kriminelët nuk do të shpëtojnë nga veprimet e tyre”, tha ai, duke shtuar se “Perëndimi duhet të ndalojë menjëherë këtë tragjedi”.

Katari ka dënuar bombardimin e Izraelit ndaj Spitalit Baptist Al-Ahli në Gaza, duke e përshkruar sulmin si një “masakër të egër”.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të Katarit QNA, Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit sulmin në spital e përshkroi si “një masakër brutale, një krim i urryer kundër civilëve dhe një shkelje e ligjit ndërkombëtar”.

Ministria tha se komuniteti ndërkombëtar është “bashkëpunëtor” në krimet kundër njerëzimit të kryera kundër palestinezëve, herë duke heshtur e herë duke vepruar në mënyrë selektive, dhe paralajmëroi se kjo do të çonte në një mjedis më të madh dhune dhe jo stabiliteti.

“Zgjerimi i sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, duke përfshirë spitale, shkolla dhe vendbanime, konsiderohet një përshkallëzim i rrezikshëm”, tha ministria, duke paralajmëruar se këto mund të kenë pasoja të rënda për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Gjithashtu i kërkohet komunitetit ndërkombëtar që “të marrë përgjegjësinë e tij dhe të pengojë Izraelin nga kryerja e krimeve të mëtejshme kundër civilëve”.