Ministri serb: Disa nga masat për serbët në Kosovë do të nisin të zbatohen në nëntor

Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Nemanja Staroviq, tha se disa nga masat e miratuara nga Qeveria serbe më 14 shtator, që synojnë të ndihmojnë serbët në Kosovë, do të nisin të zbatohen në fillim të nëntorit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Ne kemi kërkesa të qarta që ia kemi adresuar komunitetit ndërkombëtar, të cilat janë të bazuara dhe të shpjeguara, që kërkojnë kthimin në ‘status quo-në’, para se [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti të prishte dhe të rrëzonte Marrëveshjen e Brukselit duke zbatuar masat e tij të njëanshme”, tha ai, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS).

Tensionet e reja mes Kosovës dhe Serbisë vijnë pasi autoritetet në Kosovë javëve të fundit kanë mbyllur disa institucione paralele serbe, të cilat i konsiderojnë jokushtetuese dhe të paligjshme.

Beogradi i ka cilësuar këto veprime si “akte kriminale” që synojnë “dëbimin e serbëve”.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kritikuar veprimet e Kosovës për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe më 30 gusht, duke i cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Qeveria e Kosovës vlerëson se me veprimet e veta vetëm po synon të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin e shtetit.

Paketa e masave, që Qeveria serbe miratoi më 14 shtator ka dimension politikë e juridik, por edhe socio-ekonomik, tha Staroviq për RTS-në, duke shtuar se një sërë departamentesh kanë pranuar detyra të qarta me masa konkrete që përfshin paketa socio-ekonomike.