Ministri planifikon që gjithë të burgosurat në Maqedoninë e Veriut të vendosen në një burg
Ministri për Drejtësi, Igor Filkov, planifikon që burgu i Strugës të shndërrohet në burg vetëm për të burgosura, ashtu që të gjithë femrat e burgosura nga gjithë vendi të transferohen në këtë burg, transmeton Portalb.mk.
“E kemi riaktualizuar idenë për komplet burg të femrave, ashtu që të riadaptohen shumë punë dhe gjithë reparti i të burgosurave nga burgu i Idrizovës të zhvendoset këtu”, deklaroi Filkov gjatë vizitës që i bëri burgut të hapur në Strugë.
Ai sot i shoqëruar nga drejtori i burgut, Ardit Mustafai, i vizitoi hapësirat e burgut, ku po përpilohet projekti dhe po kryhen llogaritë për shndërrimin e këtij burgu në burg vetëm për të burgosurat.
“Shpresoj që do të kemi mbështetjen e te gjithë partnerëve dhe shumë shpejt do ta realizojmë. Ideja për burg të grave nënkupton komplet për gra, ndërsa të burgosurit prej këtu do të zhvendosen në vendet tjera”, deklaroi Filkov.
Raportohet që Burgu i Strugës ka kapacitet për 60 persona, ndërsa për momentin aty janë vetëm 21 të burgosur. Pasi burgu ka karakter të hapur, të burgosur do të mund të angazhohen për punë.
“Shënuam Ditën Evropiane të Drejtësisë dhe prezantuam idenë për transformimin e këtij institucioni në Shtëpi Ndëshkuese Përmirësuese të llojit të hapur në Strugë për gra, ku njëkohësisht shkëmbyem ide dhe përvoja rreth realizimit te këtij projekti në një afat të shkurtër kohor”, deklaroi drejtori Mustafai.
Ndryshe, përfaqësues të Bankës për Zhvillim në Këshillin e Evropës në fillim të muajit tetor kanë vizituar burgun e Idrizovës në Maqedoninë e Veriut. Arsye për këtë, ndër të tjera, është edhe ngecja në projektin për rindërtimin e burgut, që ka nisur që më 2010. Tashmë janë ndërtuar reparte të hapura dhe gjysmë të hapura, si dhe salla e gjyqit, e cila nuk është vënë në funksion kurrë, por faza e dytë e projektit, ende nuk ka filluar.
Sekretari shtetëror, Dajanço Eftimov, në tryezë të rrumbullakët organizuar nga Këshilli i Evropës më 8 tetor në Shkup i ceki sfidat me të cilat përballen institucionet e burgjeve dhe domosdoshmërinë për reforma për risocioalizim dhe rehabilitim më të mirë të personave të dënuar.
- LEXO: Paratë evropiane të bllokuara në burgun më të madh të Maqedonisë së Veriut
- LEXO: Eftimov: Gjendja në burgje është serioze, nevojiten reforma urgjente
- LEXO: Pandov: Parregullsitë e konstatuara nëpër burgje do ti dorëzoj në polici dhe prokurori
- LEXO: Pandov: Të burgosurit në burgun e Shutkës hyjnë e dalin kur të duan, shtatë vite nuk është bërë asnjë kontroll