Mickoski paralajmëroi ndryshime të mëdha në Qeveri dhe në VMRO-DPMNE deri në fund të vitit

“Shembullin për ndryshime duhet ta japim ne. Paralajmëroj se menjëherë pas kongresit të rregullt në fund të këtij viti, më së voni në fillim të vitit të ardhshëm, do të ketë ndryshime të mëdha në parti dhe në Qeveri”. Kështu deklaroi sot kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, gjatë fjalimit të tij në konferencën vjetore të Unionit të Grave të VMRO-DPMNE në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Ata që do të tregojnë rezultate me punën e tyre do të qëndrojnë, por ata që nuk do të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve do t’i përshëndes dhe do t’ju falënderoj. E them këtë tani, që të dihet dhe të dërgoj një mesazh se gjëja e vetme që ka vlerë, gjëja më e madhe që një njeri mund të lërë pas vetes, janë nderi dhe integriteti. Do të bëj gjithçka që kjo të mbetet pjesa më e pastër e punës sonë. Këtë të gjithë së bashku ia kemi borxh popullit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk kemi hapësirë për të krijuar zhgënjime të reja tek njerëzit që për dekada janë zhgënjyer nga politikanë të ndryshëm të pandershëm dhe të korruptuar”, tha Mickoski.

Duke komentuar largimin e Arben Taravarit nga qeveria, ai tha se ata, ai nuk është i interesuar për ide, vizion dhe ndryshime por për diçka tjetër.

“E shoh, edhe pse nuk e komentoj zëshëm, atë kërcënim të vazhdueshëm që vjen nga një figurë e opozitës shqiptare, i cili e di se pas këtyre zgjedhjeve e pret pensioni. Dua t’i dërgoj një mesazh se llogaritjet e tij afatgjata nuk do të dalin mirë për partinë e tij. Dhe se me këtë sjellje të daljes dhe hyrjes në qeveri, që është e barasvlershme me “ashtu si deri tani”, nuk do të zgjasë shumë, kur edhe partnerët e tij aktualë nga BDI do të kuptojnë se partneriteti i tyre është i përkohshëm, derisa dikush t’i bëjë një ofertë më të mirë ose ta shantazhojë për diçka që i është më e rëndësishme sesa kjo tani. Unë politikën nuk e bëj kështu. Ndoshta dukem naiv, por siç them gjithmonë, ndryshimet fillojnë nga ne, dhe ne duhet të jemi ata që duam të arrijmë dhe ajo që qytetarët presin nga ne – njerëz të sinqertë, që nuk bëjnë llogari dhe nuk luajnë lojëra, dhe që nuk qëndrojnë në pushtet përmes intrigave, shantazheve dhe abuzimeve, por që gjithmonë thonë të vërtetën dhe janë parimorë dhe të qëndrueshëm ndaj fjalës së tyre. Nëse nuk jemi të qëndrueshëm ndaj fjalës sonë, atëherë gjithçka është e kotë. Unë do të jem i tillë”, tha Mickoski.

Kujtojmë se, pas mosmarrëveshjeve që kishte muajt e fundit me partnerët e koalicionit VLEN rreth kandidatëve për zgjedhjet lokale, Aleanca për Shqiptarët e Taravarit i ndau rrugët me partitë e tjera të këtij koalicioni. Ndërkaq, në mbledhjen e 12 majit, partia e Taravarit vendosi që të largohet edhe nga qeveria. Taravari theksoi se një nga arsyet e largimit ishte edhe heqja e “balansuesit”, duke theksuar se vazhdimisht është premtuar se do të sillet ligji për përfaqësimin adekuat, por nuk ka diçka konkrete.