Mickoski nga Uashingtoni: Vendi dhe rajoni ishin peng të së kaluarës për një kohë të gjatë, tani duhet të fokusohemi në të ardhmen

Për një kohë të gjatë rajoni dhe Maqedonia si shtet ishin peng i së kaluarës. Ne duhet të fokusohemi tek e ardhmja dhe ajo që vjen me të ardhmen. Ta bëjmë Maqedoninë sërish krenare, por edhe ta bëjmë sërish krenar Ballkanin. Të jemi fqinjë të mirë, të bashkëpunojmë. Këtë e ka bërë të ditur sot nga Uashingtoni përmes një video-mesazhi drejtuar opinionit, kryeministri Hristijan Mickoski, i cili kryeson delegacionin e Maqedonisë në samitin e NATO-s. Ai tregoi se gjatë takimeve që ka pasur gjatë ditës ka dërguar disa mesazhe, të cilat i referohen shtetit, por edhe rajonit dhe si kryeministër tha se do të mbetet i fokusuar në këto çështje edhe në vitet në vijim, transmeton Portalb.mk. 

“Mesazhi i dytë që dërgova është se ka kaluar koha e kurrizit të përthyer, ka kaluar koha e politikanëve të korruptuar që vijnë nga Maqedonia dhe politikanëve që janë të gatshëm të mbrojnë korrupsionin dhe krimin e tyre dhe të bëjnë tekstualisht çdo gjë. Të firmosin gjithçka, të pranojnë çdo poshtërim që do t’u ofrohet në tavolinë vetëm për të mbrojtur krimin e tyre. Ajo kohë tashmë është histori dhe e kaluar. Ne duhet të flasim si partnerë të vërtetë, të flasim si fqinjë sepse partneriteti dhe fqinjësia e mirë është rrugë e dyanshme. Ne duam ta ushqejmë atë dhe ta shohim vetëm në atë mënyrë”, tha ai.

Mickoski në video-fjalimin theksoi se një ditë tjetër pune në samitin e NATO-s, që po mbahet me rastin e 75 vjetorit të formimit të Aleancës, ka qenë dinamike dhe e mbushur me shumë takime që ai ka pasur në margjinat e samiti i NATO-s.

“Sot kemi biseduar me kryeministrin malazez, kemi biseduar me presidentin kroat, kryeministrin hungarez. Do të veçoja takimet me kryeministrin italian Meloni, me kryeministrin spanjoll Sanchez, i cili ishte pranë meje në darkën e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Biden dhe bashkëshortja e tij Jill Biden. Nga ajo që mund të veçoj janë takimet me kryeministrin bullgar dhe atë shqiptar”, tha kryeministri.

Në fund, kryeministri tha se qytetarët e vendit duhet të jenë krenarë sepse po bëjnë çmos për të rifituar dinjitetin e humbur që nuk e kanë pasur në shtatë vitet e fundit.

Mickoski kryeson delegacionin e Maqedonisë në Samitin e NATO-s, në të cilin janë ministrat e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme – Timço Mucunski, Vllado Misajlovski dhe Pançe Toshkovski. Në Uashington ndodhet edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili mori pjesë në Samitin Parlamentar të NATO-s në prag të hapjes së samitit.

Takimi i nivelit të lartë i NATO-s vazhdon në Uashington dhe në qendër të tij mbetet mbështetja për Ukrainën përballë agresionit rus, e cila po karakterizohet nga udhëheqësit e aleancës dhe të vendeve anëtare si një mbështetje për demokracinë dhe paqen. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe krerët e vendeve të tjera anëtare të NATO-s pritet të shpallin ndihmë të re ushtarake për Ukrainën.

Të mërkurën në takim Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken konfirmoi se drejt Ukrainës janë nisur avionë të tjerë F-16 të dërguar nga Danimarka dhe Hollanda.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se pret që të miratohet një paketë të konsiderueshme për Ukrainën në takimin e nivelit të lartë. Stoltenberg tha se paketa do të përfshijë një komandë të re të NATO-s për Ukrainën për të ofruar ndihmë dhe trajnim për sigurinë, dhe një zotim afatgjatë për të vazhduar mbështetjen për Kievin.

Stoltenberg tha gjithashtu se pret që aleatët të përsërisin angazhimin se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s.