Mickoski iu përgjigj Mexhitit për luftën e UÇK-së: Vrasjet në pritë nuk mund të jenë luftë e drejtë dhe e arsyeshme

Një luftë në të cilën pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë në mënyrë qyqare në pritë nuk mund të jetë e arsyeshme dhe e drejtë, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar deklaratën e partnerit të tij të koalicionit nga VLEN, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mjedisit Izet Mexhiti, se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër, transmeton Portalb.mk.

“E dëgjova atë deklaratë dhe këtu kemi absolutisht pikëpamje të ndryshme për gjërat. Nuk mund të jetë e arsyeshme dhe e drejtë. Nuk mundet dikush që në pritë në mënyrë qyqare mori jetë dhe vrau pjesëtarë të ministrive të brendshme dhe të mbrojtjes të jetë luftë e drejtë dhe e ndershme, të paktën jo në Maqedoni, nuk po komentoj për fqinjësinë. Por këto janë tema që janë pjesë e së kaluarës, të mbyllura me Marrëveshjen Kornizë, dhe me ndryshimet e fundit ligjore, konkretisht Ligjin për Përfaqësim të Drejtë që është në Komisionin e Venedikut, është mbyllur”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.

Ai theksoi se fokusi i Qeverisë është e ardhmja, jo e kaluara, dhe u bëri thirrje politikanëve të arsyeshëm të përmbahen nga kthimi në temat që janë mbyllur, të mos ndjekin politikën përçarëse të BDI-së, por të përqendrohen në temat e së ardhmes.

“Fokusi ynë si qeveri është e ardhmja, kjo është ajo që duam të shohim. Këto janë tema të mbyllura dhe u bëj thirrje të gjithë politikanëve të arsyeshëm të mos luajnë kartën e BDI-së dhe atyre që duan të na kthejnë 25 vjet prapa. Le të shohim përpara, të sjellim investime, të bëjmë një vend më të bukur për të jetuar për të gjithë qytetarët. Ky është thelbi dhe boshti rreth të cilit duhet të bashkohemi. Le t’i lëmë politikanët që përçanë në të kaluarën, ata nuk kanë temë të së ardhmes, nuk e dinë se çfarë është e ardhmja, janë të bllokuar në matricën e tyre të së kaluarës. Mesazhi i vetëm që vjen nga Bashkimi Demokratik për Integrim në 14-15 muaj opozitë, së bashku me partnerët e rinj të koalicionit LSDM dhe Levica, është pikërisht kjo – ndarja. Prandaj, u bëj thirrje të gjithëve të përmbahen nga çdo temë që na kthen në të kaluarën, të shikojmë drejt temave të së ardhmes”, tha Mickoski.

Zëvendëskryeministri dhe kandidati për kryetar komune për komunën e Çairit, Izet Mexhiti, theksoi në një postim në rrjetet sociale tre ditë më parë se lufta e UÇK-së në Kosovë, Preshevë dhe Maqedoni ishte e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër. Ai e bëri këtë pikë ndërsa shprehu mbështetje për një protestë të mbajtur në Prishtinë të organizuar nga Shoqata e Veteranëve të UÇK-së.

“Qëndrimi im ka qenë dhe ngelet parimor dhe i palëkundur: Lufta e UÇK-së në Kosovë, ajo në Preshëve si dhe në Maqedoni ka qenë e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër! Kjo ka qenë luftë për shtetshmërinë, për barazinë dhe për mbrojtjen e identitetit shqiptar në trojet e ish Jugosllavisë. Bota i ka njohur dhe i ka ndëshkuar agresorët dhe dhunuesit për krimet ndaj shqiptarëve. Çdo tendencë sot për ta barazuar dhunuesin me viktimën është e papranueshme, qoftë me normat e së drejtës ndërkombëtare apo me parimet e të drejtës zakonore”, shkroi Mexhiti.

Ndaj deklaratës së Mickoskit reagoi BDI e cila thotë se është paradoksale që kryeministri flet për “moskthim në vitin 2001”, ndërkohë që çdo ditë e praktikës qeverisëse së tij është kthim prapa në kohë: tek diskriminimi, majorizimi, përjashtimi dhe shkelja e të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera.

“Përkujtesa e vitit 2001 nuk është “temë e vjetër”, ajo është kujtesë për çmimin që qytetarët paguan për barazi dhe për Marrëveshjen e Ohrit, e cila sot po shkelet hapur nga qeveria aktuale. Në vend se të na japë leksione se për çfarë duhet të flasim, kryeministri duhet t’u tregojë qytetarëve pse: shfuqizoi ne mënyrë antikushtetuese përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si vlerë kushtetuese që buron nga Marrëveshja e Ohrit, majorizimi është kthyer në vendimarrje, madje edhe në Gjykatën Kushtetuese ku vendimet merren tani me mbivotim etnik, ⁠propozoi si parti shfuqizimin e ligjit për gjuhën shqipe dhe njëherit është insistuesi më i madh për mosrespektimin e ligjit, në administratë ende diskriminohen shqiptarët, gjuha shqipe injorohet nga institucionet, diaspora shqiptare përjashtohet nga proceset vendimmarrëse dhe mbështetja financiare nga pushteti, përfshirë edhe zvogëlimin antikushtetues të numrit të këshilltarëve komunal; projektet zhvillimore në komunat shqiptare bllokohen, ndërsa investimet anashkalojnë zonat ku jetojnë shqiptarët. Koncepti i “botës serbe” është shndërruar në politikë shtetërore, e konfirmuar kjo edhe në raportin e fundit të Parlamentit Europian. Ppo e bllokon të ardhmen europiane, ⁠po i ikin vetingut, ⁠nuk po mbështesin iniciativën për hetim të çdo funksionari, ⁠po i ikin hetimit për procesin e privatizimit. Tash po e parashtrojmë pyetjen se kush po na kthen 30 vite mbrapa? Ju apo ne?”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kujtojmë se më 7 gusht, mijëra qytetarë protestuan në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.