Mickoski i zhgënjyer nga pjesëmarrja e maqedonasve në zgjedhjet në Bullgari

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, është “i zhgënjyer” nga pjesëmarrja e qytetarëve maqedonas që deklarohen si bullgarë në zgjedhjet e teta të njëpasnjëshme parlamentare të parakohshme në Bullgari, transmeton Portalb.mk.

Ai deklaroi se pret që në këto zgjedhje qytetarët bullgarë të zgjedhin një kryeministër pro-evropian, i cili do të jetë “i orientuar drejt fqinjësisë së mirë” dhe i përkushtuar ndaj përmbushjes së Kritereve të Kopenhagës, e jo ndaj mosmarrëveshjeve bilaterale që “duhet të japin përgjigje tani për çështje nga Mesjeta”.

I pyetur se çfarë pret nga zgjedhjet në Bullgari, në të cilat sipas sondazheve është në epërsi presidenti aktual Rumen Radev, Mickoski u shpreh i zhgënjyer.

“Mund të them se jam pak i zhgënjyer nga pjesëmarrja e ulët e maqedonasve bullgarë, pasi vetëm 250 maqedonas bullgarë janë të interesuar të marrin pjesë në këto zgjedhje, nga ata që sipas Radevit dhe njerëzve rreth tij janë më shumë se 200 mijë. Prisja që pjesëmarrja të ishte pak më e madhe”, deklaroi Mickoski.

Bulgaria sot mban zgjedhje të parakohshme parlamentare, të tetat me radhë që nga viti 2021, gjë që e bën një nga vendet më politikisht të paqëndrueshme në Bashkimin Evropian në vitet e fundit.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.