Bullgaria sot voton në zgjedhjet e 8-ta në 5 vite, a do krijohet qeveri stabile?

Bullgarët votojnë më 19 prill parlamentin e ri. Ish-presidenti Rumen Radev pritet të fitojë. Radevi, i cili ka qëndrim pro-rus, premton të luftojë korrupsionin, transmeton Dojçe Vele (DW).

Qoftë në aeroportin e kryeqytetit bullgar, Sofje, apo përgjatë rrugëve që lidhin qytetet në mbarë vendin, fytyra e ish-presidentit të Bullgarisë është kudo këto ditë. Pllakatat për Rumen Radevin dhe partinë e tij të sapokrijuar “Bullgaria Progresive” dominojnë peizazhin vizual në të gjithë vendin.

Ndërsa partitë e tjera zakonisht prezantojnë një grup më të madh anëtarësh në reklamat e tyre për fushatën, mesazhi i “Bullgarisë Progresive” përqendrohet plotësisht te lideri i saj.

Ish-piloti ushtarak, admirues i kryeministrit në largim të Hungarisë Viktor Orban dhe kundërshtar i adoptimit të euros nga Bullgaria, Radevi është zgjedhur president dy herë, në vitet 2016 dhe 2021.

Gjatë presidencës së tij, ai shpesh kritikoi partitë në qeveritë e njëpasnjëshme të koalicionit dhe ndeshi në miratim në shkallë të gjerë.

Zgjedhje të parakohshme

Pas protestave masive në mbarë vendin për ligjin e buxhetit, qeveria bullgareu rrëzua në dhjetor të kaluar, duke çuar në zgjedhje parlamentare më 19 prill, të tetat në pesë vite.

Këto janë zgjedhje me shumë peshë, ku lufta kundër korrupsionit dhe inflacionit është në qendër të fushatës.

Deri tani, gara dominohet nga vendimi i ish-presidentit Rumen Radev  për të dhënë dorëheqjen në janar, pra para përfundimit të mandatit dhe për të kandiduar për parlament.

“Qëllimi ynë është i qartë: të rrëzojmë oligarkinë. Le ta rimarrim vendin tonë, që të mos ketë më njerëz të varfër në Bullgarinë evropiane,” deklaroi ai në fillim të fushatës.

Me Radevin në krye të sondazheve, premtimi i tij për të “përmbysur modelin e korruptuar” të partive tradicionale, qëndrimet e tij pro-ruse gjatë presidencës dhe mungesa e partnerëve të qartë politikë ngrenë pyetje nëse një fitore e tij do të ndryshonte ndjeshëm politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit, si dhe çfarë do të thoshte kjo për BE-në.

Perceptim kryesisht pozitiv për Radevin

Gjatë udhëtimeve nëpër vend para zgjedhjeve të së dielës, DW foli me votues për kandidatët. Mendimet për Radevin janë kryesisht pozitive. Shumë vetë e quajnë atë “shpresa e fundit e vendit” mes paqëndrueshmërisë politike të pesë viteve të fundit.

Megjithatë, të tjerë, përfshirë votuesit e rinj, janë skeptikë ndaj asaj që e quajnë si “figura e re mesianike në horizontin politik.”

Boryana Dimitrova, partnere menaxhuese e agjencisë kërkimore Alpha Research, vëren se fushata e Radevit po mbush sallat e mëdha të qyteteve dhe po e paraqet ish-presidentin si një figurë bashkuese që kalon kufijtë e grupeve shoqërore, një dinamikë që po i detyron partitë e tjera të fokusohen vetëm në ruajtjen e elektoratit të tyre bazë.

“Me një lojtar të ri në skenën politike që po tërheq votues nga shumica e partive, të tjerat janë përqendruar që të ruajnë të paktën atë që është e sigurt,” tha ajo për DW.

Sondazhi i fundit i Alpha Research tregon se “Bullgaria Progresive” e Radevit pritet të fitojë 34.2% të votave, përpara aleancës së qendrës së djathtë GERB-SDS me 19.5%. DPS, partia e udhëhequr nga oligarku Delyan Peevski (nën sanksione nga SHBA dhe Britania e Madhe), është pothuajse në barazim me aleancën liberale kundër korrupsionit PP-DB, me përkatësisht 9.4% dhe 11.6%.

Prioritetet e votuesve bullgarë

Në një skenë politike të fragmentuar pa një shumicë të qartë, partitë po theksojnë arritjet e tyre të mëparshme, si integrimi i plotë i Bullgarisë në BE (GERB) dhe reformat në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit (PP-DB).

Megjithatë këto janë në kontrast të fortë me shqetësimet e përditshme të qytetarëve bullgarë.

Të dhënat nga një sondazh i Alpha Research për Radion Kombëtare Bullgare tregojnë se bullgarët më shumë se çdo gjë tjetër i frikësohen inflacionit në rritje.Vendi adoptoi euron më 1 janar dhe çmimet e energjisë janë rritur për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.

“Frika nga inflacioni nuk është shfaqur në sondazhe që nga kriza e hiperinflacionit të vitit 1997, as gjatë krizës financiare të vitit 2008,” tha Dimitrova për DW, duke shtuar se lufta kundër korrupsionit renditet si çështja e dytë më urgjente për votuesit.

Radevi e ka bërë këtë çështje themelin e fushatës së tij.

Ambiguiteti i qëllimshëm në fushatë

“Elektorati i Radevit është pothuajse i ndarë në mënyrë të barabartë,” thotë Daniel Smilov, politolog dhe profesor i asociuar në Universitetin e Sofjes. “Nga njëra anë janë ata pro-rusë; nga ana tjetër janë ata të shqetësuar për korrupsionin.”

Për këtë arsye Radevi mundohet të mos jetë shumë i qartë në mesazhet e tij. Përndryshe sipas Smilov, “rrezikon të antagonizojë njërin nga dy grupet dhe të humbasë mbështetjen e tyre.”

Sipas Dimitrovës shumica e mbështetësve të Radevit kanë një prirje të qartë pro-ruse dhe vijnë nga e djathta ekstreme, si dhe nga disa parti konservatore dhe të majta që po humbasin terren.

Për shembull Radev ka mbështetjen e shumë njerëzve që më parë votonin për Partinë Socialiste Bullgare (BSP), pasardhëse e partisë komuniste që sundoi vendin për 45 vite. Sot, BSP rrezikon të mos kalojë pragun për të hyrë në parlament.

Qëndrimi pro-rus

Radevi ka qenë gjithmonë i hapur për qëndrimet e tij pro-ruse. Megjithatë refuzimi i tij për ta quajtur Putinin agresor në luftën në Ukrainë gjatë presidencës shkaktoi reagime të forta.

Edhe pse ai nuk ka kërkuar që Bullgaria të largohet nga BE, qëndrimet e tij shpesh janë përputhur me ato të Viktor Orbanit në Hungari dhe Robert Ficos në Sllovaki. Ai ka kundërshtuar mbështetjen për Ukrainën dhe ka thënë se sanksionet ndaj Rusisë janë joefektive.

Pas humbjes së Viktor Orbanitnë zgjedhjet hungareze të 12 prillit, Politico e quajti së fundmi Radevin “kartën e papritur” në renditjen e politikanëve që mund të bëhen përçarësit e ardhshëm të BE-së, nëse ai bëhet kryeministër.

Negociata të vështira për koalicion

“Nuk është e qartë nëse ‘Bullgaria Progresive’ dhe Radevi e përdorin fjalën ‘progresive’ në kuptimin amerikan të majtë, apo në kuptimin e përdorur nga lideri serb Aleksandar Vuçiç,” tha Smilov-i.

Përgjigjja do të varet nga partneritetet që partia është e gatshme të formojë në nivel kombëtar.

Deri tani anëtarët e partisë kanë thënë se janë të hapur për aleanca mbi baza politikash të përbashkëta, si “tolerancë zero ndaj korrupsionit,” duke lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me PP-DB pro-evropiane.

Megjithatë dallimet në politikën e jashtme mund të jenë pengesë serioze për formimin e një qeverie të qëndrueshme, sidomos pasi të dyja palët kanë përjashtuar çdo koalicion me GERB dhe DPS.

Edhe partitë e tjera nuk kanë konfirmuar nëse do të hynin në koalicion me Radevin.

Sipas Smilov-it, kjo situatë dhe mungesa e mundshme e një shumice të qartë pas zgjedhjeve ngre dy pyetje kyçe në ditët e fundit të fushatës: “Nëse Bullgaria do të ketë, për herë të parë në më shumë se dy dekada, një shumicë që nuk është pro-evropiane dhe nëse modeli i korrupsionit në vend do të çmontohet më në fund.”