MF: Gjashtëmbëdhjetë institucione financiare ndërkombëtare dhe banka komerciale kanë shprehur interes për financimin e hekurudhës së shpejtë
Ministria e Financave përmes një kumtese për media ka njoftuar se gjashtëmbëdhjetë institucione financiare ndërkombëtare dhe banka komerciale kanë shprehur interes në Ministrinë e Financave për financimin e hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10, transmeton Portalb.mk.
“Në periudhën e ardhshme, Ministria e Financave do të analizojë dhe vlerësojë ofertat e marra për financimin e projektit të hekurudhës së shpejtë përgjatë Korridorit 10. Përkatësisht, Ministria e Financave dorëzoi shkresa për shprehjen e interesit në 24 institucione financiare. Afati i fundit i përgjigjes ishte 7 korriku 2025. Për realizimin e projektit u kërkuan 1.91 miliardë euro”, thuhet në kumtesën e ministrisë.
Ministria e Financave dërgoi kërkesë për shprehje interesi te institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat komerciale bazuar në konkluzionin e Qeverisë.
“Së bashku me kërkesën, Ministria e Financave u dërgoi institucioneve financiare ndërkombëtare dhe bankave shpjegim për projektin e përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe HM Infrastruktura, që u shqyrtua gjithashtu nga Qeveria”, përfundon kumtesa.