Mexhiti: Në shumicën e re do të jenë tre-katër deputetë të Frontit Evropian

Në një intervistë për A2 CNN, njëri nga krerët e VLEN-it Izet Mexhiti thotë se Fronti Evropian nuk është krijuar mbi baza ideologjike, por për të mbijetuar dhe që BDI të jetë pjesë e Qeverisë, transmeton Portalb.mk.

“Fronti Evropian nuk u bashkua nga ideologjia apo programi, por për mbijetesën e atyre partive. Tani, kur është e qartë se ata nuk do të jenë në pushtet, misioni ka dështuar dhe fillon shpërbërja e Frontit Evropian. Pra, mund të them tashmë se nga 18 deputetët që fitoi ky front, tre ose katër me një këmbë janë pjesë e shumicës së re. Tani nuk do t’i them emrat, por atje janë dy parti turke dhe komuniteti turk nuk ka kapacitet dhe potencial për të qëndruar katër vjet në opozitë. Ata sigurisht e shohin veten në qeverinë e ardhshme. Janë edhe disa deputetë të tjerë që janë me Ahmetin, të cilët në të kaluarën kanë luftuar dhe vrarë njëri-tjetrin, duke shkaktuar viktima te shqiptarët dhe pasoja të rënda. Ata janë bashkë tani për tani, ata u bashkuan për të mbijetuar. Por misioni i Frontit Evropian ka dështuar”, tha Izet Mexhiti.

Kujtojmë se, procedurat e ankimimit për rivotimin e fundit në fshatin Llërcë të Zhelinës ka përfunduar. Gjykata Administrative, hodhi si të pabazë padinë e Frontit Evropian ndaj KShZ-së dhe kështu VLEN do ta mbajë mandatin. 

Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Mirëpo, pas rivotimit të disa vendvotimeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet fillestare të ndryshuara, sipas të cilave koalicioni  VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, LSDM njëjtë, 18 mandate dhe koalicioni i udhëhequr nga BDI poashtu 18 mandate, një më pak, i cili shkoi për VLENIN. ZNAM dhe Levica e Maksim Dimitrievskit kanë nga 6 mandate parlamentare. Do të ketë edhe diskutime pas kundërshtimit të BDI-së për vendvotimin në Zhelinë, pas çka do të përcaktohet nëse difinitivisht një mandat i fituar në rivotime, do t’i mbetet VLEN-it apo BDI-së.