Metamorfozis i bashkohet dënimeve për sulmin fizik ndaj gazetares së Faktografit kroat

Fondacioni Metamorfozis, si anëtar i Rrjetit Evropian të Standardeve për Verifikimin e Fakteve (EFCSN) dhe i Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve (IFCN), i bashkohet dënimit të sulmit ndaj gazetares të Faktografit nga Kroacia dhe shpreh solidaritet të plotë me kolegët gazetarë dhe verifikuesit e fakteve. Kësaj i bashkohet edhe redaksia e shërbimit për verifikimin e fakteve Vërtetmatësi, Agjencia e lajmeve Meta.mk dhe portali i lajmeve në gjuhën shqipe Portalb.mk.

Siç njoftojnë nga vetë Faktografi gazetarja Melita Vrsaljko, e cila punon si verifikuese e fakteve dhe që shkruan për Portalin Klimatik të Faktografit, është sulmuar fizikisht teksa po kryente një detyrë profesionale. Ajo ka qenë duke punuar në një film dokumentar, i cili trajton temën e ndryshimeve klimatike në qytetin Nedin afër Zarës. Fillimisht gazetarja është sulmuar nga një person i moshuar teksa ajo dhe kameramani kanë qenë duke kaluar pranë një deponie të egër të krijuar aty kohëve të fundit. Pas kësaj ajo është sulmuar sërish, këtë herë në shtëpinë e saj në të njëjtin qytet. Siç përcjell Faktografi, atë e ka sulmuar vajza e personit së moshuar, e cila ka filluar ta godasë që nga dera e hyrjes dhe ka tentuar t’ia marrë celularin.

Më shumë detaje për këtë ngjarje mund të lexoni në ueb-faqen e  Faktograf.

Rrjeti Evropian i Standardeve për Verifikimin e Fakteve (EFCSN) doli menjëherë me një kumtesë për mediat në të cilën e dënoi ashpër sulmin ndaj gazetares.

Vite me radhë Faktografi është shënjestër e kërcënimeve me dhunë. Gazetarët tanë janë subjekt i ngacmimeve dhe sulmeve, por ky sulmi fizik ndaj Melita Vrsaljkos në shtëpinë e saj është një përshkallëzim i paparë dhe i frikshëm i dhunës. Ajo është një gazetare dhe regjisore e vlerësuar me çmime, një punëtore e vyeshme dhe e ndershme, e dedikuar plotësisht për t’i ofruar publikut një gazetari sa më cilësore. Faktografi do t’i ofrojë Melitës mbështetjen tonë me gjithë zemër dhe ne ju bëjmë thirrje që të bashkoheni me ne për ta dënuar këtë akt të tmerrshëm, tha Ana Brakus, bashkëthemeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Faktografit.

Siç theksuan nga EFCSN, për fat të keq ky incident është pjesë e një tendence shqetësuese të kërcënimeve dhe ngacmimeve të drejtuara ndaj verifikuesve të fakteve në mbarë botën. Në Kroaci Faktograf është përballur me kërcënime dhe ngacmime të tilla edhe në të kaluarën, por asnjëherë me dhunë fizike, prandaj ky incident është tejet shqetësues.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kësaj çështjeje t’ia japim gjithë seriozitetin që meriton. Verifikuesit e fakteve luajnë një rol kyç në mbrojtjen e diskursit publik duke ofruar informacion të saktë për qytetarët. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara që t’i mbështesin dhe mbrojnë verifikuesit e fakteve përderisa e vazhdojnë misionin e tyre jetësor të përballur me vështirësi, thanë nga EFCSN.

Metamorfozis u bën thirrje institucioneve shtetërore kroate që ta hetojnë në mënyrë ekspeditive dhe pa mëdyshje sulmin ndaj gazetarëve të Faktografit, të cilët kanë nevojë për mbrojtje nga sulme të tilla sepse verifikuesit e fakteve i trajtojnë çështjet kyçe që i tangojnë shoqëritë tona.

Gazetarët dhe punonjësit e Fondacionit Metamorfozis tashmë më shumë herë kanë qenë shënjestër e fushatave negative. Një fushatë e tillë po zgjat tashmë për shumë vite, ndërsa sulmi i fundit ka ndodhur kah mesi i muajit shkurt të këtij viti. Sulmi, si gjithë sulmet e tjera para tij, u raportua në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në prokurori, por autoritetet nuk morën hapa për ta zbardhur atë.