Meta doli para Apelit të GJKKO-së për afatet e paraburgimit, vendimi shpallet nesër
Ka përfunduar seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ku u shqyrtua ankimi i ish-presidentit Ilir Meta kundër vendimit për pezullimin e afateve të paraburgimit. Seanca u zhvillua nën drejtimin e gjyqtares relatore Saida Dollani, raporton Klan.
Në nisje të seancës, Meta u vendos në kafaz, por pas kërkesës së avokatit të tij, gjykata urdhëroi nxjerrjen e tij. Ish-presidenti vijoi seancën i ulur pranë avokatit.
Mbrojtja kërkoi pranimin e ankimit, duke kundërshtuar vendimin për pezullimin e afateve të paraburgimit. Avokati i Metës argumentoi se vendimi duhej të ishte i arsyetuar dhe se, sipas mbrojtjes, ankimi ishte paraqitur brenda afatit ligjor.
Gjatë seancës, Meta deklaroi se nuk kishte munguar në asnjë seancë gjyqësore dhe se shtyrjet e procesit nuk kishin ardhur për shkak të tij. Ai tha se gjithmonë kishte kërkuar që gjykimi të vijonte dhe kundërshtoi që për shkak të shtyrjeve të pezulloheshin afatet e paraburgimit.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, kërkoi mospranimin e ankimit. Ai argumentoi se vendimi i kundërshtuar ishte një vendim i ndërmjetëm dhe se ankimi ishte bërë disa muaj pas marrjes së tij.
Prokuroria e lidhi pezullimin e afateve me shtyrjen e procesit për shkak të problematikave që, sipas saj, kishin të bënin me përfaqësimin e një prej të pandehurave, Fatime Kryemadhi. Kllapi tha gjithashtu se praktika gjyqësore parashikon që mungesa e njërit prej avokatëve mund të sjellë pezullimin e afateve për të gjithë të pandehurit.
Pas dëgjimit të palëve, gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit. Apeli i Posaçëm do të shpallë vendimin më 17 shtator, në orën 14:00.