Mbrojtja e të dhënave personale, në 2024 rriten me 15.4% ankesat
Të paktën 455 individë e subjekte u ankuan në vitin 2024 pranë Komsionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, transmeton PCWorld.
Në raport me një vit më parë numri i ankesave u rrit me 15.4 për qind dhe kanë në objekt një sërë çështjesh. Konkretisht sipas raportit të Komsionerit arsyeja e parë lidhet me cenimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave personale (akses/korrigjim dhe fshirje).
Së dyti përhapja e të dhënave personale pa pëlqimin e subjektit të të dhënave personale.
Së treti përpunimi i të dhënave në mënyrë jo të drejtë dhe të ligjshme.
Së katërti përhapja të dhënave personale në media dhe portale online. Po kështu një tjetër kategori ankesash përfshin rastet e vendosjes së kamerave në ambiente publike dhe private.
Një ankesë që vijon prej vitesh është ajo lidhur me marketingun e drejtpërdrejtë në lidhje me komunikimet e pakërkuara, nëpërmjet telefonit ose postës elektronike. Një kategori e fundit është ajo e tejkalimit të afatit të mbledhjes së të dhënave personale për një qëllim të caktuar.
Përpos ankesave që kanë ardhur pranë Komisionerit, ky institucion ka zhvilluar edhe një sërë hetimesh pranë subjekteve të ndryshme për të parë përputhshmërinë e veprimtarisë përpunuese të mbrojtës së të dhënave.
“Gjatë vitit 2024, janë ushtruar hetime administrative në kontrollues publikë dhe privatë, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së veprimtarisë së tyre përpunuese në raport me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Në total, u zhvilluan 77 hetime administrative, prej të cilave 10 mbi bazë ankese dhe 67 me iniciativën e Zyrës së Komisionerit (ex-officio). Sa i përket sferave të veprimtarisë, 44 procese hetimi administrativ u ndërmorën në kontrollues publik dhe 33 në kontrollues privat” thuhet në raportin e Komsionerit.