Mbi 11.500 kompani në RMV nuk kanë paguar pagat për korrikun, DAP paralajmëroi pagesë të detyruar
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ka identifikuar një numër të konsiderueshëm detyrimesh të papaguara nga kompanitë në vend, pas skadimit të afatit për pagesën e avancimeve mujore për tatimin mbi fitimin dhe pagesën e pagave me kontribute për muajin korrik, transmeton Portalb.mk.
Sipas të dhënave të DAP-it, 2,129 tatimpagues nuk kanë paguar avancimin mujor për tatimin mbi fitimin për korrikun e këtij viti, ndërsa 11,555 kompani nuk kanë regjistruar pagesën e pagave bruto dhe kontributeve shoqërore për të njëjtin muaj.
Edhe pse disa nga avancimet mund të shlyhen duke kompensuar me të arkëtueshmet tatimore, DAP thekson se kjo nuk përjashton detyrimet ligjore që duhet të shërbehen në kohë.
DAP thotë se dje u dërgoi njoftime të personalizuara të gjitha kompanive me detyrime të papaguara dhe u bën apel atyre që t’i paguajnë ato menjëherë.
“Këto fonde janë pjesë e të ardhurave publike që u përkasin qytetarëve dhe sigurojnë financim të rregullt të nevojave buxhetore, kujdesit shëndetësor, arsimit dhe sigurimeve shoqërore”, thuhet në deklaratën e DAP-it.
DAP kujton se në ditët në vijim do të marrë masa ligjore për të mbledhur me forcë borxhet e papaguara.