Maqedonia ka paraqitur kërkesë për pagesën e fondeve nga mekanizmi mbrojtës “SAFE”
18 vende kanë kërkuar kredi me vlerë 127 miliardë euro përmes një instrumenti të krijuar për të forcuar aftësitë mbrojtëse të kontinentit, njoftoi KE, transmeton Portalb.mk.
Programi, i quajtur “SAFE”, është në zemër të strategjisë së ekzekutivit evropian për të përshpejtuar prokurimin e përbashkët të armëve në përgjigje të kërcënimit të supozuar rus.
Përveç anëtarëve, vendet që nuk janë pjesë e Unionit, por që kanë lidhur marrëveshje partneriteti për siguri dhe mbrojtje me BE-në, përfshirë vendin tonë, kanë mundësinë të aplikojnë për fonde nga SAFE.
Lista e 18 vendeve që kanë paraqitur kërkesa për kredi përbëhet nga Belgjika, Bullgaria, Greqia, Estonia, Italia, Qiproja, Letonia, Lituania, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Hungaria, Finlanda, Franca, Kroacia, Republika Çeke dhe Spanja. Vlera totale e kërkesave të paraqitura për financim nga shtetet anëtare është 104 miliardë euro.
Komisioni Evropian kishte frikë se shtetet anëtare nuk do të përdornin të gjitha fondet e disponueshme, duke vlerësuar se do të paraqiteshin projekte me vlerë midis 75 dhe 100 miliardë euro. Për këto arsye, shteteve anëtare u janë dërguar letra duke i nxitur ato të aplikojnë për përdorimin e fondeve të disponueshme të kredisë.
23 miliardë eurot e mbetura nga mekanizmi SAFE do të jenë gjithashtu në dispozicion të vendeve që nuk kanë aplikuar ende për kredi. Ato kanë afat deri në nëntor për të aplikuar në Bruksel dhe për të paraqitur plane të detajuara se si do t’i shpenzojnë fondet.