Maqedonia e Veriut shënoi 2 Gushtin, ditën e Ilindenit: Mesazhe nga krerët e vendit

Me një varg festash dhe manifestimesh nën sloganin “Lufta vazhdon”, sot u shënua 121 vjetori i Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës dhe 80 vjetori i seancës së parë të KAÇKM-së. Manifestimi qendror për shënimin e Ilindenit – Ditës së Republikës u mbajt në Krushevë të Gumenjës dhe në zonën e Meçkin Kamen (Guri i Ariut), ku fjalim mbajti kryeministri Hristijan Mickoski, i cili paraprakisht vendosi lule në varrin e Nikolla Karevit, transmeton Portalb.mk.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, nga ana tjetër, fillimisht ka shkuar në Pelincë, ku vendosi lule të freskëta para qendrës përkujtimore KAÇKM-së, ku do të mbajë fjalim dhe do të vizitojë Qendrën Përkujtimore. Nga aty Siljanovska-Davkova shkoi në manastirin “Shën Prohor Pçinski” u prit nga kolegu i saj serb Aleksandar Vuçiq.

“Beteja për të rinjtë, për më të mirët dhe më të talentuarit. Beteja për diturinë kundrejt injorancës, për përsosmëri kundrejt mediokritetit, për kreativitet kundrejt destruktivitetit, për mbrojtjen e pyjeve tona, të jetës dhe pronave të qytetarëve tanë nga stuhitë e zjarrit është beteja për Republikën e katërt maqedonase”, tha sot Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.

Në fjalën e saj, Presidentja tha se më 2 gusht të vitit 1944, saktësisht 80 vjet më parë, delegatët e KAÇKM-së krijuan shtetin e lirë maqedonas në baza republikane, demokratike dhe antifashiste. Dokumentet e KAÇKM-së, siç theksoi ajo, pulsojnë me idealet progresive evropiane dhe bëjnë thirrje për të drejtën e vetëvendosjes dhe barazisë midis popujve. Edhe sot, tha Presidentja Siljanovska Davkova, Republika jonë e pavarur është në përputhje me projektin për Evropë të bashkuar sepse themelet tona të KAÇKM-së njohin vlerat e përparuara evropiane.

Duke iu referuar të kaluarës, Presidentja vuri në dukje se çdo komb ka një Revolucion francez. Në vendin tonë, Republika e Krushevës, edhe pse e vogël në shtrirje dhe e shkurtër në kohëzgjatje, me elanin, ngazëllimin dhe idealet e saj, të kujton shumë ditët e para të Revolucionit të madh. Duke folur për të kaluarën dhe luftëtarët, nga 2 gushti, 80 vjet më parë, Siljanovska-Davkova tha se dokumentet e KAÇKM-së pulsonin me idealet progresive evropiane dhe bënë thirrje për të drejtën e vetëvendosjes dhe barazisë midis popujve.

Në Shkup, përkujtimi i 2 gushtit – Ditës së Republikës u bë në sheshin “Maqedonia”.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në fjalimin e tij për festën e Ilindenit ka deklaruar se Ilindeni është thelbi i vizionit, bashkimit, guximit, një kujtesë e vlerave të përbashkëta rreth bashkimit, të cilat i festojmë dhe kremtojmë.

“Ilindeni nuk është i kufizuar, sepse ai na përket të gjithëve, duke filluar nga viti 1903, deri në vitin 1944 dhe të gjithëve të cilët sot investojmë për Maqedoninë Evropiane. Çdo 2 gusht, Ilindeni lind përsëri dhe jeton me çdo gjeneratë të ardhshme që ëndërron dhe punon për një Maqedoni më të mirë dhe me çdo individ, dashamirës të gatshëm për të dhënë dhe për t’u inkorporuar në prosperitetin e vendit të përbashkët. Si multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, vendi ynë është një pikturë unike e qëndisur nga të gjithë dallimet. Këto dallime janë themeli mbi të cilin zhvillohet dhe përparon vendi ynë edhe sot”, ka deklaruar Afrim Gashi.

Gashi po ashtu ka bërë thirrje që vendi të mos humb energji në momente jo thelbësore, por të fokusohet në reforma dhe progres.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski nga Meçkin Kameni (Guri i Ariut) tha se i kemi borxh historisë, por edhe vetes si popull, të tregojmë respekt të denjë dhe ta trajtojmë me dinjitet dhe respekt serioz veprën dhe heroizmin e këtyre njerëzve.

“Secili prej nesh këtu dhe në mbarë botën duhet ta dijë se heronjtë e këtij vendi ishin njerëz të përulur dhe sfidues, të cilët e paguan me jetën e tyre lirinë që kemi dhe jetojmë sot. Çdo copë toke në të cilën lëvizim sot është e njomur me gjak, me vuajtjet dhe sakrificat e të parëve”, tha Mickoski.

Festimi i 121-vjetorit të Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës filloi dje në Krushevë, kur delegacionet vizituan Shtëpinë Përkujtimore të Kongresit të Smilevit dhe monumentin e Damjan Gruevit. Në të njëjtën kohë u hap manifestimi “10 ditët e Republikës së Krushevës” me leximin e Manifestit të Krushevës dhe ngritjen e flamurit të Republikës së Krushevës.

Fillimin e kryengritjes së Ilindenit e shpallën kambanat në Krushevë në mesnatën përballë Ilindenit të vitit 1903. Rreth 800 kryengritës e çliruan qytetin dhe pas dy ditësh Nikolla Karev shpalli Republikën e Krushevës dhe u bë president i saj. Republika e Lirë zgjati dhjetë ditë.