Maqedonia e Veriut duhet të fokusohet në digjitalizimin e gjelbër dhe infrastrukturën digjitale ekologjikisht të qëndrueshme

“Është prioritet kombëtar krijimi i planeve dhe udhërrëfyesve për transformimin digjital dhe financimi i iniciativave për digjitalizimin e ndërmarrjeve. Është e rëndësishme që shteti të fokusohet në digjitalizimin e gjelbër dhe krijimin e infrastrukturës digjitale të ekologjikisht të qëndrueshme – këto janë përfundimet e konferencës së sotme “Go Green: Sigurimi i Qëndrueshmërisë Ekologjike Digjitale” organizuar nga Byroja e Zhvillimit Rajonal, transmeton Portalb.mk.

“Në kuadër të projektit kemi hartuar, analizuar dhe përshkruar faktorët që mbështesin dhe pengojnë miratimin e masave të digjitalizimit të gjelbër, vlerësimin e fokusuar të vendit, raportin e identifikimit të burimeve dhe masat”, tha Ramiz Rexhepi, drejtor i Byrosë për Zhvillim Rajonal.

Teknologji të tilla si inteligjenca artificiale, 5G, IoT, cloud dhe edge computing kanë gjithashtu kapacitetin për të përshpejtuar dhe maksimizuar efektet e politikave mjedisore. Transformimi digjital shihet nën thjerrëzën e zhvillimit të gjelbër, u theksua në konferencë.

Menaxherja e projektit Daniella Cvetanoska shpjegoi se qëllimi kryesor i projektit është të promovojë adoptimin e një qasjeje të integruar dhe kornizës për krijimin e iniciativave të kombinuara të gjelbra dhe digjitale për transformim në nivel kombëtar dhe transnacional, të cilat do të çojnë në një funksionim “më të gjelbër” të infrastrukturave digjitale që përdorin qendrat për të dhëna.

“Në kuadër të projektit u analizuan dhe u përshkruan tendencat dhe kushtet aktuale në lidhje me iniciativat e transformimit digjital, u analizuan dhe u përshkruan faktorët që mbështesin dhe pengojnë miratimin e masave për digjitalizimin e gjelbër në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Projekti ka kontribuar në gjetjet e ekspertëve për të gjitha temat dhe përveç kësaj, ato do të jenë të disponueshme për të gjithë qytetarët”, tha Cvetanoska.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov tha në konferencë se transformimi digjital është trend global dhe “duhet ta kapim hapin”.

“Më gëzon fakti që ka ndërgjegjësim për nevojën për transformim më dinamik të metodës së menaxhimit të procesit. Kjo kërkon mjete dhe njohuri të reja. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Byroja e Zhvillimit Rajonal po bën pikërisht këtë. Pres që përmes projekteve të tilla të vazhdojë trendi i përshtatjes dhe transformimit më të shpejtë si të sektorit publik ashtu edhe të biznesit dhe përshtatjen tonë të plotë me qëllimet e BE-së dhe synimet globale të zhvillimit të OKB-së”, tha Penov.

Në kuadër të konferencës u mbajtën dy panel diskutime me temën “Fuqia kompjuterike po bëhet e gjelbër – Go Green” dhe “Sfidat për aplikimin e digjitalizimit të gjelbër në sektorin privat dhe social”.

Ndryshe, konferenca u organizua në kuadër të projektit “Fuqia kompjuterike po bëhet e gjelbër”, financuar nga BE dhe e zbatuar me partnerë nga Greqia, Shqipëria, Qiproja dhe Bullgaria.