Manipulim me ndalimin e revistës Kompakt në Gjermani

Një postim në Facebook përhap manipulimin e Kremlinit se arsyeja e ndalimit ishte qëndrimi pro-rus i revistës dhe rasti – intervista e saj me zëdhënësen e MPJ-së ruse, Maria Zakharova, e datës 13.7.2024. Por megjithëse revista kishte simpatitë pro Putinit, ajo nuk ishte tema kryesore e saj dhe sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, ajo u ndalua për shkak të ekstremizmit të djathtë, gjuhës së urrejtjes, antisemitizmit, racizmit, ksenofobisë dhe thirrjeve për përmbysjen e rendit demokratik, i cili është në dyshim që nga viti 2020, shkruan Vërtetmatësi.

Një postim në rrjetin social Facebook fillon me fjalët:

Revista politike Kompakt, e cila publikoi një intervistë me Maria Zakharova, u mbyll në Gjermani.

Ja një lajm i cili në thelb është i saktë, përkatësisht se më 16 korrik 2024 revista “Kompakt” u ndalua në Gjermani. Në postim thuhet gjithashtu se kishte simpati pro-ruse, gjë që është gjithashtu e vërtetë, por kjo nuk ishte tema e tyre kryesore dhe nuk është arsyeja e ndalimit, siç mund të mendohet nga postimi.

Krijohet përshtypjen se arsyeja e ndalimit ishte qëndrimi pro-rus i revistës dhe rasti – intervista e saj me zëdhënësen e MPJ-së ruse, Maria Zakharova, e publikuar më 13 korrik 2024, në të cilën, gjoja, ajo deklaroi diçka që autoritetet gjermane nuk donin t’u shfaqet qytetarëve gjermanë.

Por ministrja gjermane e Brendshme, Nancy Feser, thotë diçka krejtësisht tjetër – revista u ndalua për shkak të: ekstremizmit të djathtë, gjuhës së urrejtjes, antisemitizmit, racizmit, ksenofobisë dhe thirrjeve për përmbysjen e rendit kushtetues demokratik.

Teza se ndalimi është për shkak të intervistës me Zakharova u promovua nga agjencia ruse e lajmeve TASS, por nuk e mbështet atë me prova bindëse. TASS i referohet një burimi, të cilin nuk e zbulon, argumenti i të cilit është se revista u ndalua menjëherë pas intervistës me Zakharova, kështu që ka “një lidhje të dukshme”. Me kaq mbarojnë “argumentet” e atij “burimi” fantazmë, që është tejet joserioz.

Në realitet, revista ra nën “vështrimin” e autoriteteve gjermane shumë kohë përpara intervistës me Zakharova dhe pushtimit të gjithanshëm rus të Ukrainës, i cili përkeqësoi në mënyrë drastike marrëdhëniet gjermano-ruse (ato ishin gjithashtu të këqija për shkak të pushtimit rus të Krimesë në 2014, por jo aq sa më pas). Sipas metodave të vlerësimit të aplikuara nga autoritetet gjermane, që në mars 2020 ata e vlerësuan revistën si të dyshimtë dhe në dhjetor 2021 si ekstremist të dëshmuar.

TASS raporton gjithashtu një deklaratë të një gazetari të Kompakt, i cili pretendon se media gjermane “nuk mund” të bëjë një intervistë me Zakharova dhe se ajo në Kompakt është e para që nga viti 2022. Por kush është ai gazetar dhe sa i besueshëm është ai – nuk është e qartë, madje nuk është e qartë se çfarë do të thotë “nuk mund” – nëse Zakharova i refuzon ata apo autoritetet gjermane ua ndalojnë ta bëjnë këtë.

Në realitet, intervistat me politikanë rusë nuk janë të ndaluara në Perëndim, shembull i së cilës është intervista e Tucker Carlson me Putinin, por ka edhe të tjera. Kjo e minon më tej tezën se “Kompakt” u ndalua për shkak të intervistës me Zakharova.

Publikimi që po shqyrtojmë i referohet deklaratave të personave të ndryshëm, mes të cilëve edhe një farë Elena Kolbasnikova. Ajo është një qytetare pro-ruse e Ukrainës, por deri vonë ka jetuar në Gjermani. Së bashku me partnerin e saj Max Schlund, dikur Rostislav Teslyuk, i cili ishte një oficer rus, ajo ishte agjente e ndikimit të Putinit në Gjermani dhe si e tillë është një burim jo i besueshëm.

Kolbasnikova u gjykua në Gjermani për shkelje të sanksioneve kundër Rusisë duke mbledhur donacione për ushtrinë ruse, si dhe organizoi mitingje në mbështetje të saj, për të cilat u gjykua edhe për justifikimin e krimeve të luftës.

Duke marrë parasysh të gjitha të deklaruara deri më tani, vlerësojmë se njoftimi ka paqartësi apo lëshime faktesh të rëndësishme, pra se vuan nga mungesa e kontekstit.