Manifestimi “Ura me tri harqe”, bashkoi në Tetovë artistët shqiptarë
Fakulteti i Arteve në Tetovë, për herë te XI-të organizoi manifestimin tradicional “Ura me tri harqe”, transmeton Portalb.mk.
Manifestimi “Ura me tri harqe”, është një projekt i përbashkët kulturor i tre institucioneve të arsimit të lartë në hapësirën mbarëkombëtare: Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Universitetit të Arteve të Tiranës dhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Në kuadër të manifestimit tradicional kulturor “Ura me tri harqe”, përveç aktiviteteve të kthyera edhe ato në tradicionale, si ekspozita e arteve pamore, koncerti, shfaqjet teatrale dhe filmat e metrazhit të shkurtër, sivjet u zhvillua edhe një aktivitet tjetër i veçantë dhe ky ishte bashkëbisedimi me profesorin dhe piktorin e mirënjohur Gazmend Leka nga Universiteti i Arteve të Tiranës.
Nga faqja zyrtare e Universitetit të Tetovës bëjnë të ditur se temat e diskutimit ishin: Baladat dhe legjendat shqiptare “Përqasjet me mendimin mitik të popujve të tjerë”, një temë kjo që nuk kishte si t’i shkonte më për shtat këtij manifestimi që ka prapashtesën ”kombëtar”.
Gazmend Leka është një nga figurat më të shquara të artit bashkëkohor shqiptar, i njohur për kontributin e tij te jashtëzakonshëm si piktor, pedagog dhe regjisor artistik.
Krijimtaria e Gazmend Lekës është një shembull ku sasia e krijimit dhe cilësia e lartë artistike e veprave të tij bashkëjetojnë në mënyrë kaq harmonike, duke dëshmuar përkushtimin e tij të palëkundur ndaj artit dhe ndaj thirrjes së të qenit piktor.

Me shumë ekspozita personale dhe në grup të realizuara në Shqipëri dhe jashtë saj, me çmime dhe vlerësime të shumta, me shumë vepra pjesë të koleksioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, nder e kënaqësi ta kishim të ftuar në Universitetin e Tetovës.
Profesori foli për një pjesë të krijimtarisë së tij që lidhet me ilustrimet e trashëgimisë folklorike shqiptare, të trajtuar me një gjuhë vizuale të veçantë, duke sjellë në jetë baladat dhe legjendat shqiptare të cilat pasqyrojnë personazhe mitologjike dhe ngjarje historike të rëndësishme dhe këtë diskutim e ndërlidhi edhe me mendimin mitik të popujve të tjerë.

Pjesëmarrja e Gazmend Lekës në këtë manifestim ishte një burim frymëzimi për të gjithë ne. Ai na kujtoi se arti nuk është vetëm një shprehje estetike, por edhe një formë e fuqishme e komunikimit dhe e ndërtimit të urave jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes kohërave, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Universitetit të Tetovës.