Macron dhe Zelenski i uruan fitoren Siljanovska Davkovës
Presidenti i Republikës së Ukrainës dhe ai i Francës Volodymyr Zelensky dhe Emmanuel Macron, dje, më 9 maj 2024, në rrjetet sociale kanë uruar për fitoren Gordana Siljanovska-Davkovën, transmeton Portalb.mk.
“Urime Gordana Siljanovska-Davkova për fitoren e saj bindëse në zgjedhje. I uroj një mandat të suksesshëm dhe të frytshëm. Ne e vlerësojmë partneritetin tonë të fortë dhe vlerësojmë mbështetjen e Shkupit për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus. Mezi pres të forcojmë bashkëpunimin tonë dypalësh për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në Evropën tonë të bashkuar”.
Profesorja Gordana Siljanovska-Davkova e falënderoi urimin në gjuhën ukrainase, maqedonase dhe angleze.
Urime në gjuhën maqedonase për fitoren e Gordana Siljanovska-Davkova, dje, më 9 maj 2024, në rrjetin social Facebook, drejtoi Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron. Në letrën e urimit theksohet mbështetja franceze për Maqedoninë drejt integrimeve të plota evropiane, ku thuhet:
“Një faqe e re po hapet me miqtë tanë maqedonas. E mirëpres përkushtimin e guximshëm të Stevo Pendarovskit dhe i dërgoj urimet e mia të përzemërta Gordana Siljanovska-Davkovës për zgjedhjen Presidente. Franca mbetet në anën e Maqedonisë për ta shoqëruar atë në reformat dhe të ardhmen e saj evropiane”.
Profesorja Gordana Siljanovska-Davkova falënderoi për urimet në gjuhën maqedonase dhe frënge, duke theksuar rolin e Francës si një nga themeluesit e BE-së dhe theksoi se si presidente do të avokojë për ndërtimin e një konsensusi që do t’u mundësojë qytetarëve të Maqedonisë të jetojnë në Evropë.
Dje e uruan edhe komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varhei dhe ambasadori evropian në vend, David Geer dhe ambasadorja amerikane Angela Aggeler.
Kujtojmë se në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan, Gordana Siljanovska Davkova mori 560.173 vota, ndërsa presidenti tashmë në largim Stevo Pendarovski mori 251.541 vota.