Lupço Palevski Palço u soll në Gjykatën Penale për vrasjen e Vanjës, gjykatësi i caktoi 30 ditë paraburgim

Ljupço Palevski-Palço, i cili u ekstradua nga Turqia në Maqedoni më 15 maj të këtij viti, pasi kaloi 6 ditë në burgun hetues “Shkup” në Shuto Orizarë, sot është shoqëruar me sigurim të fortë policor në Gjykatën Penale, përpara një gjyqtari për procedurë paraprake. Ndaj tij është caktuar 30 ditë paraburgim, transmeton Portalb.mk.

“Gjykatësi i procedurës paraprake mori vendim përmes së cilës të dyshuarit i përcaktohet masa e paraburgimit prej 30 ditë, kohëzgjatje që numërohet prej ditës së pranimit në Burgun hetues në Shkup”, njoftoi Gjykata Penale në Shkup.

Ai në Gjykatë u ftua të jap dëshmitë si i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski nga Velesi.

I pyetur nga gazetarët nëse i ka kryer vrasjet, ai është përgjigjur shkurt me “jo”. Ai po ashtu tha se nuk do të mbrohet duke heshtur, ndërsa i pyetur nëse ka prova se nuk ishte ai autori i vrasjeve, ka qeshur.

Ljupço Palevski Palço në gjykatë. Foto Portalb.mk
Ljupço Palevski Palço në gjykatë. Foto Portalb.mk

Palevski ishte në burg në Turqi për 5.5 muaj, ndërsa të mërkurën e kaluar u soll në Maqedoni me një fluturim komercial të Turkish Airlines, direkt në burgun hetimor, ku u vendo i vetëm në qeli, me protokolle të posaçme sigurie.

Drejtori i burgut Filip Andov në një intervistë për KOD zbulon se çfarë kishte në valixhen e Ljupço Palevski Palço kur ai u soll në burgun e Shutkës pas ekstradimit të tij nga Turqia të mërkurën e javës së kaluar.

“Epo, mund të theksoj se ishte një gjë interesante, se ai kishte një televizor plazma, por këtu ku është ai nuk kemi rrymë 220 volt, është i rregulluar në 12 volt, vetëm për dritë, sidomos për dhomën ku do të jetë ai”, tha Filip Andov.

“Të mos hyjmë në detaje, ka pasur kartëmonedha në euro dhe lira turke, tani të mos hyjmë në detaje”, theksoi Andov.

Për vrasjen e dyfishtë, në burgun hetimor në Shutkë ndodhen edhe Vlatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski, të cilët dyshohen për rrëmbim personi nga neni 141 i Kodit Penal dhe për dy vrasje brutale (një të mitur dhe një për përfitime ekonomike). Të tre së bashku me Ljupço Palevskin janë pjesë e partisë politike Desna.

Babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski dyshohet se i ka ndihmuar në kryerjen e krimit – rrëmbimit të të miturit. Ai tani është në arrest shtëpiak pasi Gjykata e Lartë miratoi ankesën e tij. Avokati i Gjorcevskit, Vladimir Tufegxhiq, pohon me vendosmëri se ai nuk ka asnjë lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e vajzës së tij dhe se nuk i njeh fare të dyshuarit.

Stefan Dimkovskit, shokut që e transportoi Palevskin përmes Bullgarisë për në Turqi, në mars të këtij viti i është hequr paraburgimi dhe ndaj tij janë shqiptuar masa paraprake – ndalim i daljes nga vendbanimi, konfiskim i dokumentit të udhëtimit, detyrim për paraqitje në gjykatë dhe konfiskim, përkatësisht ndalim i përdorimit të patentës së shoferit.

Sipas asaj që është paraqitur deri më tani nga hetimi, 14-vjeçarja Vanja Gjorçevska është rrëmbyer në Shkup më 27 nëntor 2024 rreth orës 7:20 të mëngjesit kur ka dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë. Sipas hetimeve, Palevski së bashku me Keshishovin, Manevskin dhe Videvskin e kanë marrë dhe e kanë lidhur në hyrje të objektit, e kanë futur në thes dhe më pas në veturën e 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski, i cili u vra pesë ditë më parë.

Vanja u vra në të njëjtën ditë, më 27 nëntor 2023, ndërsa trupi i saj u gjet më 3 dhjetor në fshatin Brazda në periferi të Shkupit. Makina e djegur u gjet jo shumë larg. Palevski u largua nga vendi tre ditë pas vrasjes, ndërsa Keshishov, Manevski dhe Videvski pas arrestimit e pranuan krimin dhe e dërguan policinë në vendet ku ishin varrosur Vanja dhe Zhezhovski.