LSDM-ja organizoi protestë para Ministrisë së Arsimit, reagoi VMRO-ja

Para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës sot u mbajt një tubim nga LSDM-ja ku morën pjesë një grup mësimdhënësish, ata shprehën pakënaqësitë e tyre për shkak se këtë fillim viti nuk do të ketë rritje të pagave, raporton Portalb.mk.

Mësimdhënësja Rozalija Angellovska tha se qeveria duhet të rrisë pagat e tyre.

“Nëse paga e mësuesit mund të rritet çdo vit për 7 vjet, nuk ka asnjë justifikim që të mos rritet tani. Duhet të respektohet një detyrim ligjor. Është përgjegjësi e qeverisë që në shtator të rrisë pagat e mësuesve me 12%. Nga këtu, para ndërtesës së Ministrisë kompetente, urdhërojmë: Nuk ka justifikime! Rrisni pagat! Mësuesit e meritojnë”, tha Angellovska.

Mësimdhënësi Petre Trajkovski tha se qeveria duhet të ndryshojë politikat e gabuara

“Nga ky shtator, pagat e punëtorëve të arsimit duhet të rriten për 12,15%, pra mesatarisht për 4300 dinarë. Mësimdhënësit kanë marrë premtime për kushte më të mira jetese dhe paga më të larta edhe nga ministrja aktuale Vesna Janevska kur ishte në opozitë”, tha Trajkovski.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe theksoi se në buxhet ka para për rritje të pagave.

“Janë të papranueshme arsyetimet se nuk ka para në buxhet. Askush nuk beson se nuk ka para për të rritur rrogat e mësuesve me 12%. Shohim që ka para për katër ministri të reja dhe një ushtri të tërë punë partiake, ka para për luks me bileta të shtrenjta avioni, ka para për të shpikur poste të reja drejtoresh në doganë e kështu me radhë. Buxheti ka para, por pagat nuk janë prioritet”, tha Venko Filipçe.

Deputeti nga VMRO-DPMNE Sergej Popov tha se në protestën e madhe partiake të paralajmëruar erdhën vetëm rreth 20 aktivistë të partisë.

“Është fakt dhe realitet që LSDM ishte në pushtet deri para 2 muajsh, i kishin të gjitha mundësitë për të rritur pagat e mësuesve dhe nuk e bënë. Personeli mësimdhënës do të ketë rritje të pagave në vitin e parë të mandatit të VMRO-DPMNE-së, shumë investime të reja në arsim dhe përmirësim të cilësisë së tij”, tha Popov.

Nga ana tjetër, Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) nuk ka marrë vendim për masa më radikale si protestë apo grevë, përkundër paralajmërimeve të Qeverisë se nuk do të ketë rritje të pagave të mësimdhënësve, kështu tha kryetari Jakim Nedellkov.

Ai pret që deri në mes të këtij muaji të përfundojnë negociatat për rritjen e pagave dhe thotë se do të jenë konstruktive si partnerë socialë me Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë.

Në fillim të muajit gusht, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska bëri të ditur se arsimtarët nga marsi i vitit të ardhshëm do të kenë rritje të pagave prej 12 përqind.