Ljutkov: Kostadinovska-Stojçevska ka bërë shumë keqpërdorime, jo vetëm me shpenzimet nga kartela zyrtare, por edhe me investime kapitale

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, akuzon paraardhësen e tij në detyrë, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, për keqpërdorime, jo vetëm në sferën e shpenzimit të parasë publike dhe kartelës zyrtare, por edhe për operim të kundërligjshëm dhe në sferën e investimeve kapitale, transmeton Portalb.mk.

Ljutkov ndau disa nga të dhënat sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me akuzat nga partia e tij VMRO-DPMNE të cilat ditët e kaluara i referohen ish-ministres Kostadinovska-Stojçevska.

Mirëpo, ministri Ljutkov njoftoi se do të dalë në një konferencë të posaçme për media ku tha se do të hapë shumë gjëra nga pjesa e punës së saj.

Ai tha se pas ardhjes në postin e ministrit të Kulturës dhe Turizmit, ka krijuar disa grupe punuese në Ministri, të cilat do të duhet ta informojnë se si janë bërë punët në 2.5 vitet e fundit dhe si është situata.

“Si ministër i Kulturës dhe Turizmit, kur të marr detyrën, kërkoj llogari për atë që është bërë në 2, 3 vitet e mëparshme. Unë kërkova llogari për 2.5 vitet e mëparshme sa ishte ministre sepse po marr detyrën dhe dua të di si është situata. Kam krijuar shumë grupe pune që punojnë në shumë procese. Grupet e punës janë duke i shqyrtuar dalëngadalë të gjitha rastet, si dhe ai me shpenzimet nga kartela zyrtare. Ekziston një raport se çfarë është shpenzuar dhe si është shpenzuar. Me ata njerëz me të cilët ministrja ka bashkëpunuar e kanë nënshkruar raportin dhe janë pjesë e grupit punues”, tha Ljutkov.

Ljutkov nuk e ka ditur nëse Komisioni Kundër Korrupsionit ka kërkuar sot ndonjë dokumentacion nga Ministria, pasi që dje kanë paralajmëruar se pas një njoftimi do të hapin rast për të përcaktuar akuzat për keqpërdorim të parave buxhetore nga ish-ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska .

“Sot nuk e di nëse janë kërkuar dokumente sepse jam në terren, por sigurisht që marrim informacione me zë, mediat kërkojnë informacione të karakterit publik dhe kemi dorëzuar të gjitha materialet. Pra, ajo që lëshohet do të shkojë në institucionet e tjera që duhet të marrin masat e duhura. Ajo që ka prezantuar VMRO-DPMNE është vetëm një pjesë e informacionit që kemi”, u përgjigj Ljutkov.

VMRO-DPMNE nga fundjava filloi të mbajë konferenca për media të quajtura “Bisera Antoaneta” në të cilat pretendojnë se ish-ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska ka shpenzuar mjete buxhetore për qëllime private për udhëtime pune.

Akuzat vazhduan edhe sot kur deputeti Mile Lefkov publikoi raportin mujor për kartelën “Visa Business” në pronësi të Ministrisë së Kulturës, të lëshuar në emër të ish-ministres.

“Ky raport është dorëzuar dhe arkivuar në Ministrinë e Kulturës dhe është dorëzuar personalisht nga Antoineta. Bisera Antoineta është kapur në flagrancë, sikur me paratë e shtetit blente valixhe, arusha pelushi, geta dhe çorape. Për katër ditë janë shpenzuar 700 paund për këtë qëllim”, tha Lefkov.

Pas konferencës për media të VMRO-DPMNE-së, dje para gazetarëve doli ish-ministrja Kostadinovska-Stojçevska e cila i bëri i hodhi poshtë akuzat si gënjeshtra dhe manipulime, duke thënë se nëse ka një krim në punën e saj, i hiqet imuniteti dhe do të dalë para gjykatës.

“Nëse konstatohet një parregullsi, do ta pranoj gabimin dhe paratë do të kthehen menjëherë. Nëse jo, falsifikatori i VMRO-së do të marrë padi dhe do të konfirmohet edhe një herë si dezinformues dhe manipulues i popullit maqedonas”, tha ish-ministrja.

Ndryshe, dje Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka hapur lëndë për të vërtetuar akuzat për keqpërdorim të mjeteve buxhetore nga ish-ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska.