Ligji për lojërat e fatit u largua nga rendi i ditës në Kuvendin e RMV-së, VMRO-ja parashtroi interpretim autentik të ligjit

Ligji për lojërat e fatit i propozuar nga koalicioni Fronti Evropian u largua nga rendi i ditës i seancës së sotme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kjo ndodhi pas miratimit të propozimit për interpretim autentik të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërave zbavitëse që u propozua nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, raporton Portalb.mk.

Për këtë reaguan deputetët e Frontit Evropian, Ilire Dauti theksoi se kjo është shkelje shumë të rëndë dhe jashtë çdo procedure parlamentare, të së drejtës së institucionit deputet për të propozuar ligj në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Si nënshkruese e parë e Ligjit për lojërat e fatit dhe i gjithë grupi parlamentar i Frontit Evropian, duke ditur obstruksionet që në të kaluarën bënin të njëjtit aktorë me në krye VMRO, në bazë të nenit 150 të Rregullores propozuam me procedurë të rregullt propozim ligj për lojërat e fatit me të cilin kërkojmë mbylljen e tërësishme të lojërave të fatit nga vendbanimet dhe mundësinë e zhvillimit të kësaj veprimtarie vetëm në hotelet me 5 yje”, tha Dauti

Propozimin për interpretim autentik të këtij ligji e dha deputeti i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Veljanovski.

“Nga ana e qeverisë është themeluar shoqata tregtare me pronësi dominuese të Lotarisë Shtetërore me çka është respektuar përcaktimi në lidhje me themelimin e një shoqërie që organizon lojëra lotarie. Por, në praktikë ndodh që të themelohen më shumë shoqata tregtare në vend të një shoqate me 51 përqind në pronësi të lotarisë shtetërore me organizatorë të ndryshëm që mund të organizojnë lojëra elektronike të fatit”, tha Veljanovski.

Tema e kazinove është aktuale edhe në përbërjen e re parlamentare. Koalicioni i Frontit Evropian ka kërkuar që me ndryshimet e propozuara të mbyllen tërësisht kazinot, bastoret dhe objektet tjera nga lojërat e fatit, ndërkohë VLEN-i ka propozuar largimin e tyre nga vendbanimet.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 1 korrik ka paralajmëruar ndëshkim të personave përgjegjës në të kaluarën për shkeljet ligjore në lidhje me lojërat e fatit.

Ndryshe, pasi ndryshimet në ligjin për Lojërat e fatit nuk morën vota të mjaftueshme nga deputetët e Maqedonisë së Veriut në përbërjen e kaluar, të njëjtat ngelën të pa miratuara.

Nga Lëvizja “Antibixhoz” ishin të zhgënjyer nga deputetët. Ata më herët kishin organizuar edhe protesta për largimin e këtyre objekteve nga vendbanimet, duke kërkuar edhe mbylljen e tyre.

Ndryshimet ligjore parashihnin që lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.