Liderja opozitare venezueliane Maria Korina Maçado ia dorëzoi Trumpit medaljen e saj të Nobelit për Paqe
Liderja opozitare venezueliane Maria Korina Maçado ia dorëzoi medaljen e saj të artë Nobel për Paqe Donald Trumpit, pasi u takua me të në Shtëpinë e Bardhë, pothuajse dy javë pasi ai urdhëroi rrëmbimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, raporton The Guardian.
Maçado, e cila e fitoi çmimin vitin e kaluar për luftën e saj kundër “shtetit brutal autoritar” të Maduros, u tha gazetarëve të enjten se e kishte bërë këtë “si shenjë mirënjohjeje për përkushtimin e tij unik ndaj lirisë sonë”.
Disa orë më vonë, Trump shkroi në Truth Social se Maçado “ma dorëzoi Çmimin Nobel për Paqe për punën që kam bërë. Një gjest i bukur respekti të ndërsjellë”.
Një fotografi e publikuar më vonë nga Shtëpia e Bardhë e tregon presidentin amerikan me dhuratën të vendosur në një kornizë të madhe. Brenda kornizës së artë, poshtë medaljes, shkruhej:
“Dhuruar si simbol personal mirënjohjeje në emër të popullit venezuelian, në shenjë vlerësimi për veprimin parimor dhe vendimtar të presidentit Trump për sigurimin e një Venezuele të lirë”.
Më herët po atë ditë, organizatorët e Çmimit Nobel shkruan në X:
“Medalja mund të ndryshojë pronar, por titulli i fituesit të Çmimit Nobel për Paqe nuk mundet”.
Maçado, lëvizja e së cilës besohet se e mposhti Maduron në zgjedhjet e Venezuelës në vitin 2024, u la papritur mënjanë nga Trump pasi forcat speciale amerikane kapën rivalin e saj politik në orët e hershme të mëngjesit të 3 janarit.
Mbështetësit e opozitës shpresonin se Trump do ta njihte politikanen konservatore 58-vjeçare si udhëheqësen e re të Venezuelës pas rrëzimit të Maduros, por në vend të kësaj ai i dha miratimin zëvendëskomandantes së diktatorit, nënpresidentes Delcy Rodriguez, e cila më pas u betua si presidente në detyrë.
Të enjten, në një përpjekje të dukshme për të rifituar favorin e Trumpit, Maçado u tha gazetarëve se ia kishte “dhuruar” medaljen e saj norvegjeze presidentit amerikan gjatë një takimi privat.
Më herët këtë javë, organizatorët e Çmimit Nobel për Paqe njoftuan se çmimi nuk mund të “ndahet apo transferohet”, pasi Maçado i tha Fox News se dëshironte ta “ndante” atë me Trumpin. “Vendimi është përfundimtar dhe vlen përgjithmonë”, thanë ata.
Megjithatë, Maçado vazhdoi me gjestin e saj simbolik, veprim që analistët e panë si përpjekje për të shpëtuar shpresat e zbehura të lëvizjes së saj për marrjen e pushtetit, tani që Maduro ishte jashtë skenës dhe pas hekurave në Nju Jork.
Duke folur me gazetarët, Maçado e krahasoi dorëzimin e medaljes së saj Trumpit me rastin kur, në vitin 1825, markezi de Lafayette i dërgoi një medalje të artë me figurën e George Washingtonit heroit të pavarësisë së Amerikës së Jugut, Simon Bolivarit. Maçado e quajti dhuratën e Lafayette “shenjë të vëllazërisë mes popullit të SHBA-së dhe popullit të Venezuelës në luftën e tyre për liri kundër tiranisë”.
Vendimi i Trumpit për të mos e mbështetur Maçadon pas largimit të Maduros, thuhet se ishte pasojë e përkeqësimit të marrëdhënieve mes saj dhe anëtarëve të ekipit të Trumpit, si dhe shqetësimeve se lëvizja e saj nuk do të ishte në gjendje të kontrollonte situatën e sigurisë në Venezuelë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve të enjten: “Vlerësimi i presidentit u bazua në realitetin në terren. Ishte një vlerësim realist, i bazuar në atë që presidenti lexoi dhe dëgjoi nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare. Në këtë moment, qëndrimi i tij për këtë çështje nuk ka ndryshuar.”