Lewandowski tregoi si Barcelona mund ta eliminojë Napolin

Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, ka zbuluar se si mund ta eliminojnë Napolin në Ligën e Kampionëve në javën e ardhshme, raporton KlanKosova. Napoli dhe Barcelona u ndanë baras, me rezultat 1-1, në ndeshjen e parë, për t’u mbetur gjithçka e hapur në përballjen e dytë.

Lewandowski vlerëson se Barcelona duhet të përsërisë lojën që zhvilloi në ballafaqimin e parë.

“Kemi luajtur shumë mirë kundër Napolit, në 30 minutat e para kemi luajtur shumë mirë. Ne kishim nevojë për atë golin e dytë, por tani kemi ndeshjen në shtëpi për ta bërë atë”, tha polaki në një intervistë të fundit me kanalet e mediave sociale të Barcelonës.

“Nëse luajmë nga fillimi siç luajtëm në pjesën e parë në Napoli, atëherë mendoj se mund të fitojmë dhe të shënojmë më shumë gola. Ajo që duam të bëjmë është të jemi në raundin tjetër”.

“Napoli është një skuadër e rrezikshme me lojtarë vërtet të mirë, por ne duam ta fitojmë këtë lojë dhe, edhe pse ka ende kohë deri atëherë, ne duam të fitojmë të gjitha ndeshjet tona deri atëherë”.