Lëshime në Këshillit Gjyqësor të RMV-së, konstatoi Komisioni për mbikëqyrjen e funksionimit të AKMIS-it në gjykata

Komisioni për Mbikëqyrjen e Funksionimit të AKMIS-it në gjykata ka kryer mbikëqyrje në katër gjykata themelore në vend, njoftoi Ministria e Drejtësisë, transmeton Portalb.mk. Mbikëqyrja është bërë në Berovë, Krushevë, Kratovë dhe Kumanovë gjatë së cilës i ka konstatuar këto gjendje:

  • Mosrespektim të plotë të dispozitave ligjore për largim dhe përfshirje, si dhe përjashtim të gjyqtarëve nga AKMIS
  • Numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve në gjykatat më të vogla me juridiksion themelor
  • Numër të pamjaftueshëm të profesionistëve nga lëmia e TI në gjykata
  • Arkivim i lëndëve në mënyrë të ndërprerë dhe mungesa e hapësirës adekuate arkivore, ato mbahen në bodrume
  • Mosshpallja e konkurseve për punësim dhe promovime pavarësisht pëlqimit të marrë nga kryetarë të mëparshëm
  • Incizimi i zërit kryesisht nuk funksionon

Këto janë vetëm një pjesë e vërejtjeve nga ana e Komisionit për mbikëqyrjen e kryer gjatë gjashtë muajve të parë të vitit.

Ministria e Drejtësisë edhe në periudhën në vijim do të mbetet të jetë transparente dhe do t’i publikojë në faqen e saj të internetit të gjitha proçesverbalet nga mbikëqyrjet e kryera në gjykata.

Sistemi AKMIS i zbatuar nëpër gjykata duhet të sigurojë shpërndarjen elektronike të lëndëve pa ndikimin e faktorit njerëzor.

Baza e AKMIS-it është në Gjykatën Supreme dhe në të mund të hyjnë anëtarët e  Këshillit Gjyqësor dhe kryetarët e gjykatave themelore, por nuk mund të intervenojnë. Instalimi i sistemit filloi në janar 2020, kur ministër i Drejtësisë asokohe ishte Mihajllo Manevski nga VMRO-DPMNE, ndërsa kryetar i Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski.

Nga viti 2010 AKMIS, ishte operativ në të gjitha 34 gjyqet e Maqedonisë së Veriut, duke e zëvendësuar shpërndarjen manuale të lëndëve. Nevoja për kontroll të sistemit AKMIS erdhi pasi që në raportin e Pribesë u tha se “ka perceptime se lëndët gjyqësore nuk janë duke u ndarë nëpërmjet Sistemit AKMIS”.

Perceptimi se po manipulohet me këtë sistem, u bë edhe më i dukshëm, kur lëndët e Prokurorisë Speciale, “rastësisht”, caktoheshin te gjyqtarë të cilët në opinion ishin të njohur se kanë lidhje të ngushta me partinë e atëhershme në pushtet VMRO-DPMNE, funksionarët e të cilës duhej të gjykoheshin për vepra të rënda penale. Kur shkonin në duar të tyre, ata i bllokon apo i zvarrisnin, pra i fusnin në rrëmuja procedurale e burokratike, me qëllim që të shmanget ekzekutimi i drejtësisë.

Për manipulimin e sistemit u shkruajt edhe në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2018-të, në të cilin u theksuan me emër dhe mbiemër kryetarët e Gjykatës Themelore të Shkupit dhe asaj Supreme, si të përfshirë në skandalin me AKMIS, Vlladimir Pançevski dhe Jovo Vangellovski.

Pasi ndërroi pushteti në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2017-të, me iniciativë të Qeverisë, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë, janë bërë kontrolle në tre Gjykatat më të fuqishme të vendit, gjegjësisht në Gjykatën Penale të Shkupit, Apelit dhe Supremes.