Lejoi një qytetar që gjendet në listën “stop” të futet në Maqedoninë e Veriut, Policia ka paditur policin

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj një punonjësi të policisë nën dyshimet se ka lejuar një qytetar të futet në Maqedoninë e Veriut, përkundër asaj se gjendjen në listën “stop”, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal kundër S.S. për shkak të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Punë e pandërgjegjshme në detyrë” sipas nenit 353-v të Kodit Penal”, raportoi Policia.

Ngjarja kishte ndodhur më 12 gusht të këtij viti në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

“Ai nuk ka kryer kontrollin e pasaportës së një udhëtari i cili ka kaluar në listën STOP të MPB-së me masën “arresto” gjatë hyrjes në shtet. Me këtë veprim, nëpunësi policor i ka mundësuar udhëtarit të realizojë hyrje përmes kufirit shtetëror”, deklaruan nga Policia, duke e akuzuar se polici ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme.