Lajçak: Na duhet qartësi se si do të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit

I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak, tha se zhvilloi “diskutim të rëndësishëm” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm në Prishtinë, transmeton REL.

“Erdha në Prishtinë sot për të diskurtar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin [Besnik] Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd”, tha Lajçak.

Duke folur para gazetarëve pas takimit, emisari evropian tha se qëllimi i takimit ishte të krijohet një kuptim i qartë se si do të veprohet tani e tutje.

“Ne kemi Marrëveshjen, kemi Aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, u shpreh ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte “shumë intensiv, por shumë i rëndësishëm”.

Ai bëri të ditur se do të shkojë në veri të Kosovës, pasi dëshiron të shohë nga afër situatën atje.

“Me të vërtetë shpresoj se do të ketë një zgjidhje politike që do të na lejojë të gjithëve të fokusohemi në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes”, u shpreh ai.

I pyetur për modelin kroat për Asociacionin, për të cilin Qeveria e Kosovës insiton, Lajçak u shpreh se ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është diçka që “bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane, e cila është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

“E kemi thënë që në fillim. Nuk do të them më shumë për këtë. Unë mendoj se jam mjaft i qartë”, u shpreh ai.

Lajçak bëri të ditur se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin të hënën e 15 majit.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se në takim me zotin Lajçak ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazë të arritur në Ohër me Serbinë.

“Theksova nevojën që Marrëveshja Bazë të zbatohet në tërësi dhe nevojën që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të kësaj Marrëveshjeje”, shkroi ai.

Emisari evropian, pas vizitës në Kosovë, pritet të shkojë edhe në Serbi.

Çfarë tha Lajçak në veri?

Gjatë vizitës së tij në Mitrovicën e Veriut, Miroslav Lajçak, u pyet në lidhje me çështjen e hapjes për qarkullim të urës mbi lumin Ibër, mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

Hapja e kësaj ure u diskutua ditë më parë me inicitivën e disa asamblistëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Është në duart e dy palëve, ato duhet të pajtohen. Ne duam që hapja e urës të kontribuojë në një stabilitet më të madh se sa në destabilizim. Prandaj, insistoj që duhet ta përdorim platformën e dialogut për t’u pajtuar për një rrugë përpara”, tha Lajçak.

Lajçak pritet të takohet me pjesëtarë të shoqërisë civile nga komuniteti serb në veri të Kosovës.

yrtarët nga Bashkimi Evropian kanë thënë se vizita e Lajçakut në Kosovë e Serbi synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të Zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.

Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.