Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë që dënon sulmin në veri

Me propozimin e grupeve parlamentare, deputetët e Kuvendit të Kosovës në mënyrë unanime kanë miratuar një rezolutë që dënon sulmin e 24 shtatorit ndaj sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës, raporton Anadolu.

Në këtë rezolutë konstatohet ndër tjerash “nevoja për hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë lidhur me organizimin aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”.

Kryetarë të partive parlamentare dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës paraprakisht mbajtën fjalime lidhur me sigurinë e vendit pas ballafaqimit të armatosur të Policisë së Kosovës me një grup të armatosur rëndë prej më shumë se 30 personash në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “nëse Serbia kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin”.

Ai theksoi se terroristët që morën jetën e policit Afrim Bunjaku ose janë vrarë, ose janë arrestuar, ose janë në ndjekje pasi që janë në ikje dhe të cilët sipas tij “duhet të ekstradohen, duhet të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës”.

“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar atëherë ajo do ta përsërisë krimin. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë, të cilët sulmuan në Banjskë të Zveçanit të dielën janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, tha Kurti.

Ai tha se organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet mike, partnere, aleate ashtu siç bëri Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj me 29 qershor 2023.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se Kosova më 24 shtator u përball me një sulm terrorist të orkestruar nga shteti serb. Ai theksoi se sulmi që ndodhi në Banjskë nuk është përfundimi i qëllimeve të Serbisë ndaj Kosovës.

“Sot para së gjithash është tejet e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve, që planifikuan dhe realizuan sulmin mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt kërkojmë edhe mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë që duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata, sepse ata duhet të marrin dënimin e merituar për krimin që realizuan në Kosovë”, theksoi Krasniqi.

Kryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se plani i sulmit në Banjskë ishte i organizuar nga Serbia. Sipas tij, qëllimi i këtij sulmi ishte “krijimi i një realiteti të ri në veri, ku për këtë realitet të ri duheshin edhe viktima”.

“Në një rajon normal një sulm i tillë terrorist do të kishte marrë dënime nga të gjithë, Ballkani Perëndimor megjithatë nuk është i tillë. Republika e Serbisë, fqinji ynë në veri, mbrëmjen e së dielës tek pasi operacioni kishte përfunduar me sukses, shpalosi jo vetëm dije për gjithë zhvillimin madje edhe me informacione të të vrarëve para se të gjendeshin trupat, por shpalosi qartazi edhe mbështetje për këtë agresion terrorist”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja me të gjithë kapacitet e saj do të mbështesë institucionet e Kosovës në përballje të tilla, pa dyshim.

Kosova e ka bërë përgjegjëse direkte Serbinë për sulmin që ndodhi në Banjskë ndaj njësitit policor.

Sulmin ndaj Policisë së Kosovës e ka dënuar edhe Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.