“Kush është i radhës?” mbuloi monumentin Olimpia për të kujtuar viktimat e Koçanit dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në marsh të shtunën
Lëvizja “Kush është i radhës?” sot më 13 nëntor zhvilloi aksion guerilas në monumentin e Olimpia, të cilin e mbuloi me të zeza për të përfaqësuar simbolikisht të zezën që nënat e fëmijëve në Koçan kanë veshur për 8 muajt e fundit, transmeton Portalb.mk.
Ata thonë se me këtë aksion, duan t’u bëjmë thirrje banorëve të Shkupit të dalin në marshin e solidaritetit që Shoqata “16 Marsi” po organizon këtë të shtunë (15 nëntor), në orën 12:05 në Sheshin Maqedonia si vend takimi.
Marshimi i engjëjve do të vazhdojë drejt Parlamentit dhe do të përfundojë para Gjykatës Themelore Penale në Shkup për të kërkuar gjykim të drejtë për masakrën e Koçanit. Gjykimi është planifikuar të fillojë më 19 nëntor.
“Ju ftojmë të ndani aksionin guerilas të “Kush është i radhës?” në mënyrë që t’u kujtojmë qytetarëve se lëvizja jonë nuk do të ndalet së ushtruari presion dhe së avokuari për drejtësi për të gjitha viktimat e kolapsit sistemik.
Dhimbja e Koçanit duhet të ndihet nga të gjithë ne. Nuk duhet t’i lejojmë familjet të marshojnë vetëm, ndërsa ne vazhdojmë me jetën tonë të përditshme. Ata duhet ta dinë se ne jemi bashkë në këtë luftë, nga e cila nuk do të dorëzohemi kurrë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes “Kush është i radhës?”.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.