Kurti: Po bëjmë të gjitha konsultimet e nevojshme për hapjen e urës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe diskutimet me aleatët në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën e jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut, e banuar me shumicë serbe, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Duke folur në një mbledhje të Qeverisë së tij të mërkurën, Kurti njoftoi se Kosovën do ta vizitojnë dy ministra të Jashtëm të dy vendeve anëtare të NATO-s javën e ardhshme, ndërsa të enjten edhe ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus.

Kurti nuk tregoi se ministrat e cilave vende anëtare të aleancës ushtarake do ta vizitojnë Prishtinën.

Ai paralajmëroi se sot Kosovën e viziton një delegacion danez i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull saj”, tha Kurti.

Një ditë më parë, Kurti u takua me shefin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiral Stuart Munsch, me të cilin ka biseduar për sigurinë në vend.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.

Vizitat e zyrtarëve të NATO-së dhe të tjerëve në Kosovë po zhvillohen në kohën kur Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR, e kanë kundërshtuar synimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës në këtë kohë.

KFOR-i, njëlloj sikur BE-ja, ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, po ashtu, ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.

Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.