Kuqezinjtë përballë kampionëve në fuqi të Europës, luhet sot ndeshja Shqipëri-Itali

Sytë e të gjithë shqiptarëve janë të drejtuar këtë të shtunë drejt kampionatit evropian të futbollit, aty ku në orën 21:00 zbresin në fushë në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit, lojtarët e kombëtares shqiptare, transmeton euronews.al.

Shqipëria do të përballet në ndeshjen e parë të finaleve të kampionatit evropian me një kundërshtar të fortë si Italia, në një ndeshje që pritet të dhurojë emocion dhe spektakël për të gjithë tifozët.

Kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Sylvinjo dhe stafit teknik zhvilluan të premten stërvitjen e fundit, duke provuar vendosje taktike dhe situata të ndryshme loje, për t’u përballur me kampionët në fuqi të Evropës.

Forma e lojtarëve është e mirë dhe deri më tani nuk ka probleme fizike për asnjërin me atmosferën që është shumë pozitive dhe të gjithë të gatshëm për të dhënë kontributin për takimin ndaj Italisë.

Trajneri Silvinjo në konferencën përpara ndeshjes të mbajtur të premten tha se është një nder për të që do të jetë në krye të Shqipërisë në Kampionatin Europian. Më pas tekniku brazilian foli për tre kundërshtarët e grupit, duke theksuar se është i vetëdijshëm për vështirësinë. Ai nënvizoi se djemtë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin për të përfaqësuar sa më mirë vendin në Europian.Gjithashtu Silvinjo vlerësoi ekipin e Italisë, duke u shprehur se janë të aftë për të fituar sërish Europianin. Trajneri i Kombëtares shtoi se Shqipëria do të zbresë në fushë për të luftuar dhe për të tentuar të marrë pikë në çdo ndeshje.

Kjo sfidë e parë e kuqezinjve do të gjykohet nga një trupë arbitrash gjermanë. Kryesori i këtij takimi do të jetë arbitri i njohur gjerman, Felix Zwayer, teksa asistentët e këtij të fundit do të jenë Stefan Lupp dhe Marco Archmuller. Në rolin e arbitrit të katërt në këtë ndeshje është emëruar Daniel Siebert.
Ndërkaq, Bastian Dankert do t’i vijë në ndihmë Felix Zwayerit nga dhoma e VAR-it, së bashku me dy asistentët Christian Dingert dhe Rob Dieperink.

Katër ditë më pas, më datë 19 qershor 2024 kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.

Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor 2024 në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

Më poshtë, edhe kalendari i plotë i ndeshjeve të Shqipërisë në finalet e Europianit “Gjermani 2024”:

15.06.2024 Itali vs Shqipëri, “ BVB Stadion Dortmund”, ora: 21:00
19.06.2024 – Kroaci vs Shqipëri, “Volksparkstadion Hamburg”, ora: 15:00
24.06.2024- Shqipëri vs Spanjë, “Düsseldorf Arena”, ora: 21:00