Kumanovë, institucionet “mbyllin sytë” para personave me aftësi të veçanta fizike, infrastruktura lë për të dëshiruar

Shumë institucione publike në Kumanovë dhe Likovë janë të pa arritshme për personat me aftësi të veçanta në ecje dhe ata në karroca. Mungesat e stazave të posaçme për karroca, mungesa e ashensorëve dhe infrastruktura e dobët janë vetëm disa nga sfidat e përditshme të këtij grupi të qytetarëve. I riu Refik Ajeti rrëfeu për Portalb.mk se si këto kushte ua vështirësojnë përditshmërinë. Ndërkaq institucionet rrinë duarkryq, personat me nevoja të veçanta nuk janë prioritet i tyre.

Institucionet publike pa infrastrukturë për personat me karroca

Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës është një ndër institucionet ku këta qytetarë e kanë të vështirë qasjen. Portalb.mk vizitoi objektin e spitalit, në hyrjen kryesore kishte vetëm shkallë dhe jo stazë për karroca. Në spital takuam qytetarë të cilët ishin me karrocë të fëmijëve, dhe ata u detyruan që karrocën ta mbanin në duar për t’i kaluar shkallët, me frikë mos të ngelin në ashensor.

Hyrja e Spitalit të Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Hyrja e Spitalit të Përgjithshëm Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Qytetarët madje theksojnë se ashensori edhe pse punon është i vjetër, shpesh ndodh që ashensori të bllokohet dhe kanë frikë të ngjiten lartë.

Ashensor i vjetruar në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Foto nga Portalb.mk
Ashensor i vjetruar në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Foto nga Portalb.mk

Vizituam gjithashtu Qendrën e Punësimit, aty jashtë kishte stazë për karroca por brenda nuk kishte ashensorë.

Shkallët, te Qendra e Punësimit, Kumanovë. Foto nga Portalb.mk
Shkallët, te Qendra e Punësimit, Kumanovë.
Foto nga Portalb.mk

Në objektin e Komunës së Kumanovës ka vetëm shkallë para hyrjes, nuk ka stazë për karroca dhe ashensorë.

Komuna Kumanovës. Foto nga Portalb.mk
Komuna Kumanovës. Foto nga Portalb.mk

Situata e njëjtë është edhe te Posta e Kumanovës, nuk ka stazë për karroca dhe as ashensorë, ka vetëm shkallë.

Posta e Kumanovës. Foto nga Portalb.mk
Posta e Kumanovës.
Foto nga Portalb.mk

Te Policia e Kumanovës në hyrje të objektit kishte vetëm shkallë, por në anën tjetër të objektit kishte një stazë për personat me karroca.

Staza për karroca në Policinë e Kumanovës. Foto: Portalb.mk
Staza për karroca në Policinë e Kumanovës. Foto: Portalb.mk

Ndërkaq në hyrje të Komunës së Likovës, nuk mund të kalosh me karrocë, brenda objektit nuk ka ashensorë, dhe personat me aftësi të veçanta nuk mund t’i kryejnë punët e tyre administrative.

Komuna e Likovës. Foto nga Portalb.mk
Komuna e Likovës. Foto nga Portalb.mk

Përveç institucioneve të lartpërmendura shumë rrugë në Kumanovë dhe Likovë janë “të pa kalueshme” për qytetarët në karroca.

Si rezultat i kësaj, ata përballen me pengesa të mëdha për qasje nëpër këto institucione themelore dhe për pasojë janë të privuar edhe nga marrja e shërbimeve si qytetarë të vendit.

Mirë se vini në RMV, vendin pa kushte për personat me aftësi të veçanta fizike

Refik Ajeti, student i psikologjisë nga fshati Likovë për Portalb.mk rrëfeu sfidat me të cilat ai përballet në përditshmëri si rezultat i infrastrukturës së dobët për personat në karrocë.

Ai thekson se personat me aftësi fizike të veçanta nuk mund t’i kryejnë as shërbimet elementare nëpër institucione pasi nuk ka kushte. Ai madje u shpreh shumë kritik ndaj institucioneve të cilët sipas tij fjalë kanë shumë kurse punë aspak.

Ai tha se nëpër institucionet arsimore mungojnë hapësirat dhe kushtet për këta persona, madje ai tha se ata personat me aftësi fizike të veçanta vërehet se janë pjesë e kësaj shoqërie vetëm një herë brenda 4 viteve gjatë zgjedhjeve.

Refik Ajeti, student i Psikologjisë. Foto nga arkivi personal.
Refik Ajeti, student i Psikologjisë. Foto nga arkivi personal.

“Sapo të mbarojnë interesat personale të kandidatëve që pretendojnë të na udhëheqin përgjatë 4 viteve, si në pushtetin lokal po ashtu edhe në pushtetin qendror, të njëjtit vetëm se të shëtisin derë më derë derisa të arrish të mbarosh një çështje elementare, ndërsa thirren se janë duke u munduar për lehtësime në të gjitha nivelet e jetës shoqëroro-sociale”, tha Ajeti.

Ai tha se në RMV ku një person me aftësi fizike të veçanta, duhet të merr leje apo një vërtetim nga mjeku specialist për të pasur mundësi t’i gëzojë një palë këpucë ortopedike.

Gjithashtu theksoi sfidat në shëndetësi, infrastrukturë, vetëdijen e ulët të qytetarëve kundrejt kësaj kategorie të njerëzve dhe të tjera.

Institucionet duarkryq

Nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës theksuan se ofrojnë kushte infrastrukturore për këta qytetarë, por ashensorët janë të vjetër dhe shpesh prishen.

“Ne po bëjmë përpjekje për të marrë të reja”, thanë nga Spitali i Përgjithshëm Kumanovë.

Komuna e Kumanovës dhe e Likovës heshtin në pyetjet gazetareske se pse nuk bëjnë më shumë për qytetarët me aftësi fizike të kufizuara.

Asnjë ankesë në KPMD

Në lidhje me këtë çështje kontaktuam edhe Komisionin e Parandalimit, dhe të Mbrojtjes nga Diskriminimi të RMV-së, nga atje thanë se gjatë periudhës të vitit 2021 deri në muajin korrik të vitit 2024, te ata nuk është paraqitur asnjë ankesë për diskriminim nga personat me aftësi të kufizuara, persona me patarica, karroca, etj, nga Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Likovës.

Problem në të gjithë vendin, kritika të vazhdueshme nga BE-ja

Në muajin korrik 2024, Portalb.mk raportoi mbi këtë problematikë në Tetovë. dy të rinjtë Lavdrim Veli dhe Gadaf Memeti për Portalb.mk treguan për sfidat në përditshmëri, me të cilat ballafaqoheshin personat me aftësi të veçanta nëpër institucionet publike.

Rrjedhimisht, kjo problematikë nuk është e theksuar vetëm në Tetovë, por thuaj se në të gjitha qytetet e vendit. Në këtë drejtim, vendi vazhdimisht merr kritika nga BE-ja. Për shembull Bashkimi Evropian, në Raportin e përditësuar vjetor 2023 mbi të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Botë thekson se çështja e diskriminimit dhe margjinalizimit të personave me aftësi të kufizuar mbetet problem që kërkon zgjidhje.

Po ashtu, kujtojmë që në dhjetor të vitit 2023 Qeveria e RMV-së miratoi Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Nevoja të Veçanta 2023-2030, me Plan Veprimi të strategjisë nacionale për vitin 2023-2026.