MPB: Është zbuluar personi që ka kërcënuar gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese

Kërcënimet ndaj një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, të cilat sot i ka raportuar kryetari i Gjykatës, Darko Kostadinovski, janë bërë përmes një rrjeti social dhe janë drejtuar nga personi S.I, informojnë nga MPB, transmeton Portalb.mk.

“Sot rreth orës 12 kryetari i Gjykatës Kushtetuese D.K. në Departamentin për Krime Kompjuterike në MPB ka raportuar kërcënime për jetën dhe sigurinë e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese të drejtuar nga S.I. përmes një rrjeti social”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga atje shtojnë se MPB menjëherë ndërmerr masat përkatëse dhe ky rast do të zgjidhet sa më shpejt.

Ndryshe, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, sot ka dorëzuar denoncim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, lidhur me kërcënimet ndaj jetës dhe sigurisë së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Denoncimi është dorëzuar për shkak të kërcënimeve të drejtpërdrejta të drejtuara ndaj një gjyqtari, përkatësisht gjyqtarëve që kanë të bëjnë me trajtimin e një çështjeje të caktuar nga Gjykata.

“Kryetari Kostadinovski dënon ashpër kërcënimet e tilla ndaj gjyqtarëve, duke theksuar se në një shoqëri demokratike kërcënimet e tilla dhe të ngjashme paraqesin sulm ndaj integritetit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe presion të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e pavarur të të gjithë gjyqtarëve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Për shkak të seriozitetit të kërcënimeve dhe thirrjeve publike për dhunë, Gjykata pret nga organet kompetente që në mënyrë profesionale dhe të shpejtë të ndërmarrin të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për të zbardhur këtë kërcënim dhe kërcënime të ngjashme ndaj gjyqtarëve.

Në maj të këtij viti edhe ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska, ka raportuar në polici se ka marrë kërcënime për jetë, pasi në garazhin e saj kishte gjetur një shtrat të improvizuar dhe thikë kuzhine.