Kryeqendra e shkëlqimit kulturor

Rrugëve të Vjenës duhet të ecësh sa më ngadalë që ta shijosh më shumë bukurinë dhe madhështinë e këtij qyteti madhështor, ku historia politike dhe kulturore e Europës shfaqet në forma të ndryshme.

Kryeqendra e sotme politike, ekonomike dhe kulturore e Austrisë, me rreth dy milionë banorë, më nuk e ka shkëlqimin politik që e pati në të kaluarën, por asaj s’do t’i shuhet kurrë shkëlqimi kulturor. Vjena është e mbështjellë me aureolë lavdie, nderimi dhe drite të përjetshme, që e krijuan ndër shekuj gjenitë e saj.

Ngado që t’i kthesh sytë sheh monumente historike dhe kulturore. Vjena është e gjitha histori. Një histori madhështore e politikës dhe e kulturës.

Ngado që t’i kthesh sytë sheh institucione kulturore. Vjena është e gjitha art. Është qyteti i muzikës, letërsisë, teatrove, muzeve, bibliotekave…

Këtu jeton përgjithmonë shpirti i Mozart-it, që besonte se muzika nuk ishte te notat, por te heshtja mes tyre. E deshi gjeniu këtë qytet. E quajti qytet i muzikës, i kulturës dhe i kafesë. Vjena, e cila sot krenohet me kompozitorin gjenial, duhej të ndihet edhe turpëruar. Trupi i pajetë i kompozitorit u hodh në një varrezë anonime.

Thuaj Vjena dhe të kujtohen edhe klasikët e tjerë të muzikës, për të cilët ky ishte qyteti i magjisë, i elegancës, i kulturës, i ëndrrave dhe i frymëzimit.

Thuaj Vjena dhe të kujtohet psikanalisti Sigmund Freud-i, i cili “preku” në errësirën e mendjes, në pavetëdijen njerëzore, që çlirohet nga ngarkesat nëpërmjet ëndrrave. Psikanaliza e tij i mahniti edhe shumë artistë, këta gjurmues pas mistereve të shpirtit njerëzor.

Në këtë qytet jetuan dhe krijuan gjeni si: Franz Kafka, Elias Canetti, Robert Musili e shumë shkrimtarë të tjerë.

Në Vjenë lindi shkrimtari Stefan Zweig-u, i cili ëndërroi një botë në paqe, pa kufi dhe pa urrejtje mes kombeve.

Vjenën midis dy luftërave botërore e njohim edhe nëpërmjet librit Bota e djeshme –  Kujtimet e një europiani të Stefan Zweig-ut. Kur u shkrua libri, “turma fitonte pushtet të neveritshëm në jetën publike”. Këtë gjendje e kemi parë gjatë shpërthimit të luftërave në ish-Jugosllavi. Ky qe shkaku pse Bekim Fehmiu iu referua shumë këtij libri, ku shkrimtari i kujton me mall edhe takimet me gjenitë e Europës.

Në Vjenë, siç shkroi Zweig-u, “liria e veprimit në jetën private ishte diçka e natyrshme”, kurse “toleranca nuk përbuzej si shenjë dobësie e butësie, madje vlerësohej shumë lart si një forcë morale”, por me triumfin e ideologjisë naziste gjërat u përmbysën dhe bota shkoi mijëra vjet pas në planin moral.

Është e çuditshme se si një ideologji shkatërrimtare i helmon edhe shpirtrat më të rafinuar dhe vendet ku vlen kryefjala: “Jeto dhe leri edhe të tjerët të jetojnë”. Mjafton shpikja e një parulle dhe e një armiku që të aktivizohet makineria e pamëshirshme e turmës, e cila shkakton vetëm rrënoja dhe shkatërrim. Shkatërrim fizik dhe moral.

Vjena e sotme është ndryshe. Ka gjithçka që i duhet një kryeqendre europiane. Ka shumëllojshmëri identitare. Liria e veprimit në jetën private është e natyrshme. Toleranca vlerësohet si forcë morale. Vjena ka arkitekturë mahnitëse. Ka aeroport të bukur, hotele dhe restorante mbresëlënëse… Por është edhe vend i pakëndshëm për duhanpirësit.

Me këtë qytet është e lidhur me mijëra fije edhe historia jonë. Shqiptarët duhet përjetësisht t’i jenë mirënjohës Vjenës. Lidhjet me këtë vend datojnë nga mesjeta. Më pas, në këtë qytet, u botuan shumë libra për historinë dhe kulturën shqiptare. Aty ruhen shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut. Naimi, që e vizitoi muzeun e Belvederes në vitin 1877, pas disa vitesh i shkroi vargjet: “Lum ti, moj Shqipëri! thashë, / armët’ e ti kur i pashë /  ndë Belvedere në Vienë,- / sikur pashë Skënderbenë”. Ndërkaq Hil Mosi, i mahnitur nga “kujtimet” që ruheshin në këtë muze, kërkoi që t’i ktheheshin Shqipërisë.

I madh ishte kontributi i Austro-Hungarisë për kulturën, shkencën dhe arsimin shqiptar. Ajo financoi botimin e librave shkollorë, letrarë e shkencorë. Financoi revista, gazeta dhe klube shqiptare. I ndihmoi studentët që të studionin në universitetet austriake. Dhe asnjëherë nuk kërkoi nga shqiptarët të hiqnin dorë nga identiteti kombëtar. Përkundrazi, i ndihmoi ta afirmonin këtë identitet, qoftë në planin kombëtar dhe ndërkombëtar. Ishin Austro-Hungaria dhe Italia që patën rolin kryesor në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Në Vjenë qëndroi ca kohë Faik Konica, kurse revista “Albania”, njëra nga më të mirat në historinë e shtypit shqiptar, u financua pikërisht nga Austro – Hungaria. Në Vjenë ai u takua për herë të parë me Ahmet Zogun dhe bashkërisht i ndiqnin koncertet e muzikës klasike.

Në Vjenë studiohej gjuha shqipe në universitet që në fillim të shekullit XX, kurse shoqëria “Albania” e botoi ndërmjet viteve 1920 – 1929 revistën kulturore “Djalëria”.

Në vitin 1935, po në Vjenë, i mbylli sytë përgjithmonë gjeniu i aktrimit, Aleksandar Moisiu.

Austria u dha dije dhe kulturë shumë personaliteteve shqiptare. Në mesin e tyre ishte Eqrem Çabej, njëri nga emrat më të shquar të albanologjisë…

Derisa shëtit rrugëve të Vjenës e kupton më mirë edhe historinë e Ballkanit, pa pasur nevojë të lexosh shumë libra historie. E kupton pasojën e vonesës historike, që ende na rëndon jetën. E kupton gjithashtu se aty ku nuk arriti drita e Vjenës, ende ka errësirë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.