Kryeministri sllovak Fico foli për herë të parë pas sulmit, e fali sulmuesin

Kryeministri sllovak Robert Fico foli sot për herë të parë që kur u plagos rëndë në atentatin tre javë më parë. Ai deklaroi se nuk e urren sulmuesin, se e fal dhe se nuk planifikon ta ndjekë penalisht, transmeton Portalb.mk.

Fico vlerësoi se atentatori ishte një “lajmëtar i së keqes dhe urrejtjes politike” dhe paralajmëroi se “në BE duket se e drejta për mendim tjetër ka pushuar së ekzistuari”.

Përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të kësaj jave, Fico iu drejtua publikut në një fjalim të regjistruar të postuar në internet.

Kryeministri sllovak tha se ai kishte pasoja të rënda shëndetësore nga sulmi dhe nuk do të kthehej në punë për javët e ardhshme.

Më 15 maj në qytetin Handlova, në verilindje të Bratislavës, Fico u plagos në bark nga katër plumba teksa përshëndeti mbështetësit. Sulmuesi u arrestua menjëherë.

Ai tha se ishte sulmuar për shkak të qëndrimit të tij pro-rus ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe të tjerëve që ndryshojnë në mënyrë drastike nga pikëpamja e “rrymës kryesore evropiane”.

Fico doli nga spitali në Banska Bistrica javën e kaluar dhe tani po shërohet në shtëpi në Bratislavë.

Përpara atentatit, qeveria e tij kishte ndezur protesta masive me përpjekjet për të ndryshuar rregulloret për informacionin publik dhe u kritikua për përpjekjen për të marrë kontrollin e plotë të televizionit dhe radios publike. Kjo, së bashku me planet e tij për të ndryshuar kodin penal për të eliminuar ekzistencën e një prokurori special për korrupsionin politik, i ka bërë kundërshtarët e tij të arrijnë në përfundimin se Sllovakia po shkon drejt një modeli autokratik të qeverisjes.