Kryeministri kroat Plenkoviq arriti në Shkup, u prit nga Mariçiqi

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, priti kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq, i cili sapo ka aterruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“Në një kohë kur përballemi me procese dhe sfida të reja, miqtë e vërtetë janë me ne për të ndarë përvojën dhe për të mbështetur integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Mirëseardhje e ngrohtë për kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq, me të cilin do të kemi mundësinë të diskutojmë planet tona, projektet e reja, të ardhmen e rajonit”, ka shkruar zëvendëskryeministri Mariçiq në profilin e tij në Facebook.

Kryeministri i Republikës së Kroacisë sot ndodhet në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjatë së cilës do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë shtetëror.

Kryeministri kroat Plenkoviq do të pritet nga kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa para pllajës së Qeverisë është organizuar një ceremoni zyrtare e mirëseardhjes, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, pasuar nga takime tet-a-tet i kryeministrave, si dhe takimi plenar i delegacioneve të dy vendeve.

Fokusi i bisedimeve do të jetë integrimi evropian dhe do të diskutohet rrjedha e negociatave me BE-në, ndryshimet kushtetuese, marrëdhëniet dypalëshe, nxitja e bashkëpunimit në fushat kyçe për progresin në procesin e anëtarësimit në BE, si dhe mundësitë për investime të reja.

Takime do të ketë edhe me shefin e shtetit Stevo Pendarovski, si dhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, ndërsa Plenkoviq do t’i drejtohet edhe deputetëve në Kuvend.

Dy Kryeministrat e Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut, Plenkoviq dhe Kovaçevski, në orën 11:10 do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp në Qendrën e Medias të Qeverisë.