Kryeministri Fico nuk është më në rrezik për jetën pas atentatit të djeshëm, tha zëvendëskryeministri sllovak
Kryeministri sllovak Robert Fico nuk është më në rrezik pasi u qëllua disa herë dje në një atentat, tha zëvendëskryeministri Tomas Taraba, transmeton Portalb.mk.
“Operacioni shkoi mirë dhe Fico pritet të jetë më mirë”, tha Taraba.
Ministri i Mbrojtjes Robert Kalinak tha mbrëmë se Fico është operuar pak orë pas të shtënave në qytetin e vogël Handlova dhe se po lufton për jetën. Ministri i Brendshëm Matusz Shutaj-Eshtok e përshkroi sulmin si të motivuar politikisht dhe fajësoi mediat dhe rrjetet sociale për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, e cila çoi në atentat.
“Kryeministri është qëlluar nga një distancë e afërt. Një plumb i ka kaluar stomakut dhe i dyti i ka rënë kyçit të dorës”, tha Taraba.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht identitetin e sulmuesit, i cili u arrestua në vendngjarje. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, ai është një 71-vjeçar, banues i një fshati në Sllovakinë qendrore, i cili është shkrimtar dhe aktivist politik.
Fico u qëllua jashtë qendrës lokale të kulturës ndërsa largohej nga një mbledhje e qeverisë dhe sulmi ndodhi në ditën kur parlamenti filloi debatin për heqjen e transmetuesit publik RTVS, për të cilin mijëra njerëz kanë protestuar javët e fundit.
Fico u kthye në pushtet pas zgjedhjeve në shtator, duke udhëhequr një koalicion populist-nacionalist. Ky është mandati i tij i katërt si kryeministër deri më tani.