Kryeministri bullgar do të kërkojë që në konkluzionet e samitit dyditor të BE-së të ketë tekst edhe për RMV-në

Kryeministri i qeverisë zyrtare të Bullgarisë, Dimitar Gllavçev, do të kërkojë që në konkluzionet e samitit dyditor të liderëve të Bashkimit Evropian të përfshihet tekst për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Njoftimi i kërkesës së Sofjes është bërë mëngjesin e sotëm në një deklaratë në ueb-faqen e qeverisë bullgare, transmeton Portalb.mk.

Aty thuhet se Gllavçev gjatë diskutimit do t’i kërkojë Këshillit Evropian të konfirmojë konkluzionet për Maqedoninë e Veriut nga dhjetori i vitit të kaluar dhe nga 18 korriku 2022 dhe t’i bëjë thirrje vendit që të ndërmarrë hapat e treguar në to për përparim në rrugën drejt integrimit evropian.

“Bullgaria do të insistojë që Këshilli Evropian në miratimin e konkluzioneve të takimit të përfshijë një tekst për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Dimitar Glavçev sot dhe nesër do të jetë në Bruksel, ku gjatë diskutimit të temës do të kërkojë nga Këshilli Evropian konfirmimin e konkluzioneve të datës 14 dhjetor 2023, si dhe konkluzionet e Këshillit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të 18 korrikut 2022 dhe për t’i bërë thirrje Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrë hapat e përshkruar atje për të bërë përparim në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Sipas kryeministrit bullgar, është e rëndësishme të theksohet se zbatimi i të gjitha angazhimeve, si dhe përparimi i të gjitha reformave që lidhen me BE-në, mbeten vendimtare”, shkruan në njoftimin e Qeverisë së Bullgarisë.

Për kujtesë, konkluzionet e 14 dhjetorit të vitit të kaluar, konfirmimin e të cilave Gllavçev do ta kërkojë në Bruksel, janë nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor. Në deklaratën e miratuar më pas nga krerët e Unionit, në konsultim me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera shkruhet se BE-ja thekson nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë.

“Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë, mbetet i rëndësishëm për t’u zbatuar me vullnet të mirë dhe rezultate të dukshme. Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme vendimtare për të promovuar pajtimin dhe stabilitetin rajonal, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dhe çështjet rajonale dhe dypalëshe midis partnerëve të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës – në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura…”, thuhej në këtë pjesë të Deklaratës.

Ky përfundim erdhi pas atyre të miratuara nga Këshilli i BE-së më 18 korrik 2022, një ditë para mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare. Në të u miratua Korniza e Negociative për anëtarësimin e vendit në BE, e cila filloi procesin e shqyrtimit, dhe mbajtja e Konferencës së dytë Ndërqeveritare, pas së cilës duhet të fillojë procesi i hapjes së klasterv  dhe kapitujve, u kushtëzua me ndryshimet në Kushtetutë që vendi duhet të bëjë përfshirjen e bullgarëve në preambulë.

Ndryshe, njoftimi për qëndrimin e Sofjes që kryeministri Gllavçev planifikon ta përcjell në samitin në Bruksel sot dhe nesër, vjen pas shkëmbimit të deklaratave në mes të qeverisë së re të Maqedonisë të kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe një pjese të lidershipit dhe aktorëve kryesorë politikë në Bullgari në lidhje me Kornizën Negociative dhe si të vazhdohet në rrugën e vendit drejt BE-së.

Ndryshe, me fitoren e VMRO-së, përkatësisht formimin e qeverisë së re, ka filluar edhe tensionimi i raporteve midis Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë. Me Bullgarinë, për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja. Ndërsa tensionet me Greqinë nisën kur presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë betimit nuk përmendi emrin kushtetues të vendit, Maqedoni e Veriut, por e përmendi emrin e dikurshëm, Maqedoni.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.