Kroacia, Shqipëria dhe Serbia me gjoba më të larta në EURO 2024 (Infografik)

Me më shumë se 1.2 milionë euro janë gjobitur federatat e kombëtareve të futbollit që morën pjesë në Kampionatin Evropian të kësaj vere, në Gjermani, shkruan New York Times, transmeton Portalb.mk. Gjobat, të cilat arrijnë në total shumën prej 1,293,645 eurove, kanë të bëjnë kryesisht me sjelljen e mbështetësve të kombëtareve gjatë ndeshjeve.

Infografik: Enis Shaqiri/Portalb.mk


Kroacia
ishte vendi që mori gjobat më të larta, (220,875 euro), e ndjekur nga Shqipëria (171,375 euro) dhe Serbia (166,625 euro).

Në rastin e Kroacisë, gjobat u vendosën kryesisht për shkak të sjelljes së përsëritur të tifozëve të saj, të cilët përdorën mjete piroteknike dhe për hedhjen e sendeve në fushë.

Te rasti i Shqipërisë dhe Serbisë, përveç gjobave për sjellje të papërshtatshme të tifozëve, u ndëshkuan edhe për shfaqjen e flamujve që përmbanin pretendime territoriale për “Shqipërinë Etnike” dhe “Serbinë e Madhe”.

21 nga gjithsej 24 kombëtare sa numëron ky turne, u gjobitën të paktën një herë gjatë fazës së grupeve, ndërsa vetëm Franca, Spanja dhe Sllovakia nuk u gjobitën nga organi drejtues i futbollit evropian.

Gjermania, vendi pritës, u gjobit dy herë për dështimin në “mbrojtjen e zonës së lojës“, lidhur me tifozët që hynë në fushë gjatë ndeshjeve të fazës së grupeve midis Portugalisë dhe Turqisë, si dhe Portugalisë dhe Gjeorgjisë.

Anglia u gjobit me një total prej 12,500 eurove, renditur e 18-ta, përfshirë një gjobë prej 2,500 euro për hedhjen e objekteve gjatë barazimit 1-1 me Danimarkën dhe një gjobë prej 10,000 euro për “shfaqjen e mosrespektit gjatë këndimit të himnit kombëtarë” përpara ndeshjes kundër Sllovenisë.

Sipas UEFA-s, këto gjoba janë një kujtesë për të gjitha kombëtaret dhe tifozët e tyre që sjelljet e papërshtatshme nuk do të tolerohen dhe se sporti duhet të jetë një mjet për bashkim dhe jo për ndarje.

Kujtojmë se raste të ngjashme ka pasur edhe përpara në kampionatet evropiane ku kombëtaret janë gjobitur për sjellje të papërshtatshme të tifozëve të tyre.

Për shembull, gjatë Kampionatit Evropian të vitit 2016, Rusia dhe Anglia u ndëshkuan për përleshje mes tifozëve të tyre, ndërsa Kroacia u gjobit për hedhjen e fishekzjarrëve dhe sendeve të tjera në fushë gjatë ndeshjes kundër Çekisë.