“Krejt e thirrin Rexhën” u shpall filmi më i mirë në Bari International Film Festival

Filmi “Krejt e thirrin Rexhën” nga regjisori Ibër Deari u shpërblye me çmimin për Filmin më të Mirë në kategorinë konkurruese “Meridiana” në festivalin prestigjioz Bari International Film Festival në Itali, shkruan Portalb.mk.

Regjisori Ibër Deari për Portalb.mk tha se kjo kategori është e dedikuar për filma nga vendet e rajonit të Mesdheut dhe përzgjedhja e tyre në mesin e veprave të tjera të fuqishme ishte një nder i madh.

“Vetëm të isha pjesëmarrës në këtë festival për mua ka qenë diçka shumë e rëndësishme, sepse ishte një hap testues për të parë sa mundet filmi im të komunikojë me publikun ndërkombëtar. Si filmi im i parë dhe festivali i parë ndërkombëtar ku mori pjesë, arrita ta fitoj çmimin si filmi më i mirë…”, tha Deari.

Foto nga pranimi i çmimit. Foto: Ibër Deari
Foto nga pranimi i çmimit. Foto: Ibër Deari

Deari shprehet jashtëzakonisht mirënjohës për këtë vlerësim.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe mirënjohës për këtë vlerësim. Çmimi në Bif&st është një motivim i madh për mua dhe për gjithë ekipin që ka punuar me përkushtim të plotë. Kur puna, pasioni dhe përpjekjet shpërblehen në këtë mënyrë, ndjenja është e veçantë dhe e paharrueshme”, tha Deari.

Filmi është mirëpritur me shumë emocion gjithandej nga është shfaqur dhe ky është një nga misionet kryesore të një regjisori.

“Sigurisht që ndihem shumë mirë. Kur një film pritet mirë nga publiku dhe vlerësohet nga një juri si një vepër e rëndësishme, mendoj se ky është një nga misionet kryesore që duhet të përmbushë një regjisor. Unë në kinema pata sukses, dhe tani me këtë çmim në një festival ndërkombëtar, ndjej se rrugëtimi sapo ka filluar. Ky sukses më jep përgjegjësi më të madhe për filmat e ardhshëm, por njëkohësisht më hap rrugët pak më lehtë sesa kur isha në fillimet e mia”, tha Deari.

Foto nga pranimi i çmimit. Foto: Ibër Deari
Foto nga pranimi i çmimit. Foto: Ibër Deari

Deari për gjithë artdashësit bën të ditur se filmi do të paraqitet edhe në festivale të tjera.

“Në javët në vijim filmi do të shfaqet në disa festivale të tjera ndërkombëtare dhe gjithashtu jemi në proces për ta sjellë në kinema të tjera në rajon dhe më gjerë. Do të ndajmë së shpejti edhe datat dhe vendet për secilën shfaqje”, tha Deari.

Filmi “Krejt e Thirrin Rexhën” është një përzierje e zhanrit të dramës dhe komedisë. Filmi trajton temën e emigracionit dhe vështirësitë e personave që kanë mbetur në vend pas largimit masiv të forcës punëtore, të fshatit maqedonas të Sllupkovës.

Foto nga pranimi i çmimit. Foto: Ibër Deari
Foto nga pranimi i çmimit. Foto: Ibër Deari

Aktorja Adriana Matoshi në profilin e saj në Facebook ka shkruar se ky çmim është një dëshmi e fuqisë së artit dhe storytelling-ut, që arrin të prekë shpirtrat dhe zemrat e njerëzve, pa marrë parasysh kufijtë e gjuhës apo kulturës.

“Me krenari dhe gëzim të pafund, ndajmë lajmin e mrekullueshëm se filmi ynë “Të gjithë e thirrin Rexhon” ka fituar Çmimin për Filmin më të Mirë në Festivalin BIFnë kategorinë Meridiana në Bari, Itali! Ky është një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë ne që kemi punuar me pasion dhe përkushtim për këtë projekt, dhe një vlerësim i jashtëzakonshëm për mundin e regjisorit, aktorëve, dhe të gjithë ekipit që kontribuuan në realizimin e këtij filmi”, ka shkruar Matoshi.

Ajo gjithashtu ka shprehur falënderimet e saja për gjithë mbështetësit.

“Falënderojmë nga zemra të gjithë ata që na mbështetën gjatë këtij udhëtimi dhe që besuan tek puna jonë. Ky është vetëm fillimi, dhe me “Rexhon”, ne po i hapim një dritare të re për të treguar historitë tona, të vlerësuar dhe të ndarë me botën. Faleminderit Bari, faleminderit të gjithë atyre që kanë ndihmuar për ta bërë këtë ëndërr realitet”, ka shkruar Matoshi.