Kosova në European Cybersecurity Challenge 2024 që do mbahet 7-11 Tetor në Torino të Italisë

Më 7-11 Tetor do të organizohet në Torino të Italisë European Cybersecurity Challenge (ECSC), një garë e sigurisë kibernetike e cila mbahet prej 8 vitesh, dhe Kosova është pranuar nga Agjencia Europiane për Sigurinë Kibernetike (ENISA) për tu bërë pjesë e edicionit të këtij viti, transmeton PCWorld.al.

Në bashkëpunim me 35 vende Europiane dhe ENISA, kjo garë synon inspirojë dhe motivojë të rinjtë në sigurisë kibernetike, ti mbështetë ato në trajnimet dhe karrierën e tyre dhe të rrisë ndërgjegjësinë për sigurinë kibernetike në Europë.

Në cilësinë e udhëheqësit të ekipit “Team Kosova”, Prof. Dr. Blerim Rexha tha se pavarësisht se nismat e sigurisë kibernetike në Kosovë kanë filluar që prej 2018-ës, kjo garë e organizuar nga ENISA është e një niveli tjetër, është garë zyrtare e shteteve e organizuar nga Bashkimi Europian.

“European Cybersecurity Challenge 2024 është diçka sikurse kampionati europian i futbollit,” tha ai.

Kosova sikur çdo vende tjetër jo anëtarë i Bashkimit Europian merr pjesë në këtë eveniment në cilësinë e “pjesëmarrësit të ftuar.” Ekipi nga Kosova do të përbëhet nga 10 anëtarë ku 5 janë seniorë dhe 5 fillestarë të moshave si vijon:

  • Seniorë: të lindur nga 1 Janari 1999 deri më 31 Dhjetor 2003
    Fillestarë: të lindur nga 1 Janari 2004 deri më 31 Dhjetor 2009

z. Rexha tha se anëtarë të “Team Kosova” mund të bëhen të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës sipas moshës së lartpërmendur dhe që kanë njohuri në fushat e sigurisë kibernetike, në veçanti nga garat e tipit “Capture the Flag (CtF)”.

“Ftesa mbetet e hapur deri më 1 Korrik dhe janë 2 vende të lira tek seniorët dhe 3 vende të lira tek fillestarët,” tha z. Rexha.

Të interesuarit për tu bërë pjesë e kësaj gare ftohen të dërgojnë CV-në e tyre në e-maili-n [email protected].

“Kemi filluar përgatitje intensive përpara shkuarjes sonë në Itali. ‘Team Kosova’ do të ketë disa aktivitete përgatitore me ekspertët më të mirë të sigurisë kibernetike në vend dhe nga diaspora, ashtu që gara 4 ditore në Itali të mos jetë befasuese për asnjë anëtarë tonin,” tha z. Rexha.

Deri në Tetor ekipi nga Kosova do të bëjë trajnime dhe të marrë pjesë në aktivitete testuese ndërsa aktualisht janë në fazën e finalizimit të planit përgatitor.

Në lidhje me pranimin në European Cybersecurity Challenge 2024 dhe rëndësisë që bart ajo, Prof. Dr. Blerim Rexha tha se është një dëshmi e radhës që Kosova përmbush në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimit Europian.

“Ftoj institucionet tona, përgjegjëse për sigurinë kibernetike, të mbështetin ‘Team Kosova’ si dhe kompanitë Kosovare puna e të cilët është në fushën e sigurisë kibernetike, të mbështetin ekipin e shtetit tonë,” tha ai.

“Këta të rinj, nga gara European Cybersecurity Challenge 2024 do të kthehen me përvoja të reja, të fituara atje dhe këto përvoja do ti bartin në ekosistemin gjithnjë në rritje të ICT-së në Kosovë,” vijoi z. Rexha.

Në European Cybersecurity Challenge 2024 do të marrin pjesë 30 ekipe nga vendet anëtare të BE-së ndërsa 9 ekipe jo anëtare i bashkohen këtij eventi si pjesëmarrës të ftuar ku përfshihen Shqipëria dhe Kosova por edhe vende si SHBA-ja dhe Kanadaja.